Protestuesit irakianë futen përsëri në zonën e fortifikuar qeveritare
Mijëra përkrahës të klerikut të famshëm shiit, Moqtada al-Sadr, ia mësynë zonës së fortifikuar qeveritare të shtunën për herë të dytë brenda një jave, duke e eskaluar mosmarrëveshjen politike që më së shumti po i godet qytetarët e rëndomtë irakianë.
Protestuesit e mbledhur nga al-Sadr dhe Lëvizja Sadriste rrëzuan një pjesë të murit të betontë dhe u futën në Zonën e Gjelbër, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet e huaja, duke u nisur drejt ndërtesës së kuvendit, tha një dëshmitar i agjencisë “Reuters”.

Një protestë e ngjashme u zhvillua edhe të mërkurën, ndonëse, kësaj radhe, disa protestues dhe policë u lënduan, pasi përkrahësit e klerikut hodhën gurë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata shoku, sipas mjekëve dhe zyrtarëve të sigurisë.
Partia e klerikut al-Sadr kishte fituar më së shumti vota në tetor, por ai i kishte tërhequr deputetët nga kuvendi, kur dështoi që të formonte një qeveri pa i përfshirë rivalët e tij shiitë, kryesisht grupe të përkrahura nga Irani.

Nga ajo kohë, kleriku ka kërcënuar se do të nxisë kryengritje popullore, nëse kuvendi mundohet që të votojë një qeveri që nuk i pëlqen atij, duke thënë se qeveria e re nuk duhet të jetë pa ndikim të jashtëm dhe pa korrupsion, problem që e ka penguar vendin me dekada.
Përkrahësit e klerikut brohoritën kundër rivalëve politikë të tij, të cilët tash po mundohen që të formojnë një qeveri. Iraku është pa president dhe pa kryeministër për një periudhë rekorde për shkak të krizës politike.

Vetë al-Sadr ka pushtet të madh, sepse lëvizja e tij mbetet e përfshirë në udhëheqjen e vendit. Përkrahësit e tij mbajnë pozita të fuqishme në ministri dhe organe të tjera shtetërore.
Pavarësisht të ardhurave të larta nga shitja e derivateve, Iraku nuk ka furnizim të rregullt me rrymë, ka reduktime të ujit, arsim dhe shëndetësi të dobët dhe mundësi të pamjaftueshme për punësimin e të rinjve./Nacionale