Protestave në Iran u bashkohen edhe nxënëset, heqin shamitë e i tundin në ajër - NACIONALE

Protestave në Iran u bashkohen edhe nxënëset, heqin shamitë e i tundin në ajër

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një lëvizje të paprecedentë, protestave që kanë përfshirë Iranin që nga vdekja e një gruaje të arrestuar për shkelje të ligjit të hixhabit, u janë bashkuar edhe nxënëset e shkollave.

Disa video të verifikuara nga BBC tregojnë studente adoleshente që tundin shamitë e tyre në ajër në demonstrata brenda oborreve të shkollave dhe në rrugë.

Ato dëgjohen duke bërtitur me parulla kundër institucionit klerik, duke përfshirë "mullahët duhet të humbasin".

Në një video të postuar në mediat sociale të hënën, vajzat në Karaj, një qytet në perëndim të kryeqytetit Teheran, detyrojnë një burrë që besohet se është drejtori arsimor lokal të largohet nga shkolla e tyre duke i bërtitur "turp për ju".

Ndërsa në një tjetër klip nga Karaj dëgjohen studentët duke bërtitur: “Nëse nuk bashkohemi do të na vrasin një nga një”.

Edhe në qytetin jugor të Shirazit, ditën e hënë dhjetëra nxënëse bllokuan trafikun në një rrugë kryesore ndërsa tundnin hsamitë në arjër duke bërtitur “vdekje diktatorit” – referuar udhëheqësit suporem Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore.

Protesta të tjera janë raportuar edhe të martën në Teheran dhe në qytetet veriperëndimore të Saqezit dhe Sanandajt.

Poashtu kanë qarkulluar edhe disa fotografi, ku një numër studentesh qëndronin në klasat e tyre me kokën e zbuluar duke ngritur gishtat e mesit - drejt portretit të Ajatollah Khamenei dhe themeluesit të Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini.

Protestat e nxënëseve filluan disa orë pasi Ayatollah Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, theu heshtjen e tij për trazirat dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, armiqtë e mëdhenj të Iranit, për orkestrimin e tyre.

Ai gjithashtu dha mbështetjen e tij të plotë për forcat e sigurisë, të cilat u janë përgjigjur protestave me një goditje të dhunshme.

Kujtojmë se, trazirat në Iran u shkaktuan nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje kurde 22-vjeçare, e cila ra në koma pasi u arrestua nga policia e moralit më 13 shtator në Teheran për dyshimin se kishte shkelur ligjin që kërkon që gratë të mbulojnë flokët me hixhab ose shamia. Ajo vdiq në spital tre ditë më vonë.

E ndërsa, familja e saj ka pretenduar se oficerët e kanë rrahur me shkop në kokë, policia ka mohuar se ajo ishte keqtrajtuar dhe tha se ajo kishte pësuar "insuficiencë të papritur të zemrës".

Protestat e para u zhvilluan në Iranin veriperëndimor të populluar nga kurdët, ku Amini jetonte, por më pas, u përhapën me shpejtësi të madhe në të gjithë vendin.

Lajme të ngjashme