Protestat në Iran: 400 persona të dënuar më burg deri në 10 vjet - NACIONALE

Protestat në Iran: 400 persona të dënuar më burg deri në 10 vjet

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një zyrtar gjyqësor ka njoftuar se, gjykatat në kryeqytetin e Iranit kanë dënuar me burgim deri në 10 vjet, 400 persona të arrestuar në protestat antiqeveritare.

Sipas agjencisë së lajmeve Mizan, Prokurori i Përgjithshëm i Teheranit ka thënë se 160 "rebelë" janë dënuar nga pesë deri në 10 vjet, 80 nga dy deri në pesë vjet dhe 160 deri në dy vjet ose më pak. Ndërsa është njoftuar edhe për 70 të tjerë që janë gjobitur.

Njoftimi për dënimet e tyre, vjen një ditë pasi autoritetet varën personin e dytë të dënuar për trazirat.

Gjyqësori njoftoi të hënën në mëngjes se Majidreza Rahnavard, 23 vjeç, ishte ekzekutuar në publik në qytetin verilindor të Mashhad.

Një Gjykatë Revolucionare e dënoi atë më pak se dy javë më parë për akuzën e "armiqësisë kundër Zotit", pasi zbuloi se ai kishte goditur me thikë për vdekje dy anëtarë të Forcës së Rezistencës paraushtarake Basij.

Ndërkohë, Amnesty International tha se ai i është nënshtruar një gjyqi të rremë dhe se gjyqësori ishte "një mjet represioni që dërgonte individë në trekëmbësh për të përhapur frikë dhe hakmarrje ndaj protestuesve që guxonin t'i kundërviheshin status quo-së".

Kujtojmë se, Irani është përfshirë nga protesta kundër strukturës klerikale të vendit për gati tre muaj.

Ato shpërthyen pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare e cila u arrestua nga policia e moralit në Teheran më 13 shtator për dyshimin se mbante hixhabin ose shaminë e saj "në mënyrë të pahijshme".

Këto protesta, janë portretizuar nga autoritetet si "trazira" të mbështetura nga të huajt dhe përgjigja ndaj tyre ka qenë në forcë vdekjeprurëse.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), gjatë trazirave deri më tani, janë vrarë të paktën 490 protestues, duke përfshirë 68 fëmijë dhe 62 personel të sigurisë.

Lajme të ngjashme