Prokurorët e kërkojnë dënimin me vdekje për të akuzuarin për vrasjen e katër studentëve në ShBA
Prokurorët thonë se janë duke e kërkuar dënimin me vdekje për një burrë të akuzuar për therjen për vdekje të katër studentëve të Universitetit të Idahos në Shtetet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar.
Bryan Kohberger, 28 vjeç, është ngarkuar me katër akuza për vrasje në lidhje me vdekjen e katër personave në një shtëpi me qira afër kampusit universitar në nëntorin e vitit të kaluar. Prokurori i distriktit Latah, Bill Thompson, të hënën e paraqiti në gjykatë njoftimin për synimin e tij për ta kërkuar dënimin me vdekje për të akuzuarin, raporton agjencia “Associated Press”.
Trupat e personave të quajtur Madison Mogen, Kaylee Goncalves, Xana Kernodle dhe Ethan Chapin u gjetën më 13 nëntor 2022 në një shtëpi me qira matanë rrugës nga kampusi i Universitetit të Idahos. Vrasja e katër studentëve e kishte shokuar komunitetin në Idaho dhe në Pullman, ku i akuzuari ishte student i diplomuar i kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit.
Hetuesit thonë se shenjat e ADN-së që janë gjetur në një këllëf thikash brenda shtëpisë ku ishin vrarë studentët lidhen me të dyshuarin dhe se një telefon që i përkiste të dyshuarit ndodhej afër shtëpisë së viktimave në disa raste para vrasjes. Një veturë e bardhë, që pretendohet se duket si një veturë që e kishte në pronësi i dyshuari, është kapur në kamera të sigurisë disa herë duke kaluar pranë shtëpisë me qira rreth kohës së vrasjes së studentëve.
Megjithatë, avokatët kanë paraqitur kërkesa që gjykata t’i urdhërojë prokurorët për të paraqitur më shumë dëshmi për ADN-në e gjetur gjatë hetimit, kërkimet në telefonin e të dyshuarit dhe të dhënat në rrjete sociale si dhe pamjet nga kamerat e sigurisë, që janë përdorur për ta identifikuar tipin e veturës. Këto kërkesa janë në mesin e disave që do të diskutohen gjatë seancës së të martës pasdite.
Në Idaho lejohet ekzekutimi i të dënuarve me injeksion vdekjeprurës, por muajve të fundit, zyrtarët e burgjeve nuk kanë mundur t’i sigurojnë përbërësit e nevojshëm, duke e shkaktuar shtyrjen e vazhdueshme të një ekzekutimi të planifikuar. Më 1 korrik, dënimi me vdekje përmes skuadrës së qitjes do të bëhet metodë rezervë e ekzekutimit sipas një ligji të miratuar nga ligjvënësit këtë vit, ndonëse ka gjasa që kjo masë të sfidohet në gjykatë federale.
