Prodhuesi thotë se pajisjet që shpërthyen në Liban s'ishin të saj: Janë prodhuar në një shtet evropian - NACIONALE

Prodhuesi thotë se pajisjet që shpërthyen në Liban s'ishin të saj: Janë prodhuar në një shtet evropian

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kompania tajvaneze, “Gold Apollo”, tha të mërkurën se e kishte autorizuar përdorimin e brendit të saj për pajisjet e komunikimit që shpërthyen në Liban e Siri, por se një kompani tjetër me seli në Budapest të Hungarisë i kishte prodhuar ato.

Sipas një deklarate të kompanisë tajvaneze, pajisjet e tipit “AR-924”, që ishin përdorur nga militantët e Hezbollahut, ishin prodhuar nga kompania “BAC Consulting KFT” me seli në kryeqytetin hungarez, raporton agjencia “Associated Press”.

“Sipas marrëveshjes për bashkëpunim, ne e autorizojmë BAC-in për ta përdorur markën tonë të regjistruar për shitje të produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve janë përgjegjësi vetëm e BAC-it” – thuhet më tej në deklaratë.

Shefi i kompanisë “Gold Apollo”, Hsu Ching-kuang, iu tha gazetarëve të mërkurën se kompania e tij kishte një marrëveshje licensimi me BAC-in për tri vitet e kaluara, por nuk ofroi dëshmi të kontratës.

Ekspertët besojnë se materiali shpërthyes ishte vendosur brenda pajisjeve para shpërndarjes dhe përdorimit të tyre në një infiltrim të sofistikuar në zinxhirin furnizues.

Pajisja “AR-924”, përmban një bateri litiumi që rimbushet, sipas specifikave të reklamuara dikur në uebfaqen e prodhuesit. Përmes pajisjes mund të merren porosi të gjata me deri 100 karaktere.

Pretendohet gjithashtu se bateria e pajisjes zgjat deri në 85 ditë. Kjo do të ishte jetike në Liban, ku ndërprerja e rrymës ka qenë e rëndomtë në periudhën kur vendi po ballafaqohet me kolaps ekonomik.

“Telefonat që ne i kemi në duar – unë nuk kam telefon në dorën time – janë pajisje që dëgjojnë” – kishte paralajmëruar gjatë një fjalimi në shkurt udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

“Ju tregoj që telefoni në duart tuaja, në duart e grave tuaja dhe në duart e fëmijëve tuaj është agjenti. Është agjent vdekjeprurës, jo i thjeshtë. Është agjent vdekjeprurës që ofron të dhëna specifike dhe të sakta. Prandaj, kjo kërkon seriozitet të madh, kur ballafaqohemi me të” – kishte shtuar Nasrallahu./Nacionale

Lajme të ngjashme