Pritet rritje e çmimeve, Evropa nxiton të mbushë stoqet me naftë ruse
Evropa ka nisur të blejë më shumë naftë nga Rusia, para se të hyjë në fuqi ndalimi i importeve në fillim të muajit shkurt. Megjithatë, duket se edhe një stok i madh nuk ka gjasa të parandalojë një rritje të re çmimesh.
Sipas ofruesit të të dhënave të energjisë Vortexa, në dy javët e para të janarit vendet evropiane kanë grumbulluar gati 8 milionë fuçi naftë ruse.
Kujtojmë se, që nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar, Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje të madhe për të hequr dorë nga furnizimet e naftës dhe gazit natyror të Moskës. Në këto përpjekje përfshihet edhe një ndalim i importeve të naftës së papërpunuar ruse nga deti, që ka hyrë në fuqi në muajin dhjetor.
Edhe përpara ndalimit, vendet e BE-së reduktuan në mënyrë drastike importet e tyre të naftës së papërpunuar nga Rusia, megjithatë kjo nuk është duke ndodhur me naftën pasi është shumë më e vështirë gjetja e burimeve alternative të saj.
Sipas Rystad Energy, vitin e kaluar Rusia ka qenë furnizuesi më i madh i bllokut, duke përbërë 29% të totalit të importeve me naftë. Ndërsa, sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve, rreth 91% e furgonëve dhe 96% e të gjithë kamionëve punojnë me naftë, si dhe afërsisht 42% e makinave të pasagjerëve.
Vortex ndër të tjera ka treguar se në tre muajt e fundit të vitit 2022, blloku ka importuar mesatarisht 604,000 fuqi në ditë naftë ruse përmes cisternave detare, krahasuar me 508,000 fuçi që ishin importuar në të njejtën periudhë të një viti më parë.
Sipas vlerësimeve të Wood Mackenzie, çmimi i një fuçi nafte do të shkojë në mesatarisht 40 dollarë për tre muajt e parë të këtij viti. Kjo është një rritje 470% nga çmimi mesatar për të gjithë vitin 2021, përpara se pushtimi i Rusisë t'i çonte çmimet në rritje.
Ndërsa, të dhënat nga Komisioni Evropian tregojnë se kostoja mesatare e BE-së për një litër naftë në pompë më 9 janar ka arritur në 1,77 euro, nga 1,50 euro që ishte në të njëjtën kohë vitin e kaluar.

