Prindërit e një djaloshi në gjendje kome në Angli në luftë me gjykatat: Të mos i hiqen aparatet - NACIONALE

Prindërit e një djaloshi në gjendje kome në Angli në luftë me gjykatat: Të mos i hiqen aparatet

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Familja e djaloshit anglez, Archie Battersbee, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për ta shtyrë heqjen e pajisjeve mjekësore nga trupi i djalit që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Largimi i pajisjeve nga trupi i fëmijës 12-vjeçar ishte caktuar për në orën 11 të mërkurën, pasi familja e humbi betejën në Gjykatën Supreme.

Megjithatë, nëna e djalit, Hollie Dance, tha se është njoftuar se trajtimi nuk do t’i ndërpritet fëmijës derisa ankesa është në shqyrtim.

Duke folur me gazetarët para spitalit, zonja Dance tha: “Po shpresoj që ata (Gjykata Evropiane) ndërhyjnë dhe ia japin Archie-s të drejtën për të jetuar. Mendoj se ai e meriton këtë. Nuk do të dorëzohemi për Archie-n deri në fund”, tha ajo.

Sipas saj, djali kaloi një natë stabile dhe se është kontaktuar nga mjekët në Japoni e Turqi, të cilët thonë se mund të bëjnë ndërhyrje mjekësore që do ta ndihmojnë fëmijën që ta marrë veten.

Ajo shtoi se tash po e shqyrton mundësinë që djalin ta çojë jashtë vendit. Familjes i ishte dhënë afat deri në orën 9 që të dorëzojë ankesë në Gjykatën Evropiane, gjë që zonja Dance e cilësoi mizore.

Alistair Chesser, zyrtar shëndetësor, tha: “Siç jemi udhëzuar nga gjykatat, ne do të punojmë me familjen për t’u përgatitur për tërheqjen e trajtimit, por nuk do të bëjmë ndryshime ndaj kujdesit për Archie-n derisa të zgjidhen çështjet e pazgjidhura ligjore.”

Mjekët që po e trajtojnë fëmijën në Spitalin Mbretëror të Londrës besojnë se kërcelli i trurit të tij ka vdekur dhe thonë se vazhdimi i trajtimit në koma nuk është në interesin e tij më të mirë.

Sidoqoftë, familja e tij këmbëngul se trajtimi duhet të vazhdojë, duke thënë se zemra është ende duke i rrahur dhe se ia ka shtrënguar dorën nënës.

Prindërit e djaloshit janë munduar që t’ia zgjasin trajtimin për të siguruar kohë që rasti të shqyrtohet nga një komision i Kombeve të Bashkuara.

Të martën pasdite, një panel prej tre gjykatësish në Gjykatën Supreme e refuzoi mundësinë që prindërit e fëmijës të paraqesin ankesë ndaj vendimit, pasi arritën në konkluzion se Gjykata e Apelit “e ka marrë vendimin e duhur”.

Sipas gjykatësve, edhe nëse fëmijës i vazhdohet trajtimi, ai do të vdesë brenda pak javëve për shkak të dështimit të zemrës dhe të organeve të tjera.

“Është absolutisht e turpshme. A është kjo rruga përpara në këtë vend, që ne lejohemi t’i ekzekutojmë fëmijët? Për shkak se kanë paaftësi?”, tha nëna e djaloshit./Nacionale

Lajme të ngjashme