Prigozhini pretendon se “Wagner”-i e ka marrë kontrollin e plotë të Bakhmutit
Shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, të shtunën pretendoi se forcat e tij e kanë marrë kontrollin e plotë të Bakhmutit, qyteti ukrainas ku kanë qenë të përqendruara luftimet në muajt e fundit.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim, të cilin Prigozhini e bëri në një video, ku shihej përballë një vargu luftëtarësh me flamuj rusë e mbishkrime të “Wagner”-it në duar.
“Sot, në 12 të mesditës, Bakhmuti u mor tërësisht. Ne e morën plotësisht qytetin, nga shtëpia në shtëpi”- tha Prigozhini.
Ai shtoi se forcat e tij do të tërhqien nga Bakhmuti nga 25 maji për pushim dhe ritrajnim, duke ua dorëzuar kontrollin ushtrisë së rregullt ruse.
Shpërthime në largësi dëgjoheshin në prapavijë, përderisa Prigozhini fliste para kamerës.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.
Prigozhini u tall me presidentët e Ukrainës dhe ShBA-së, Volodymyr Zelensky dhe Joe Biden, të cilët po marrin pjesë në samitin e Grupit G7 në Japoni, ku lufta në Ukrainë është temë e rëndësishme e diskutimeve.
Duke iu drejtuar Zelenskyt, Prigozhini tha: “Sot, kur ta shohësh Bidenin, puthe në ballë, bëji të fala nga unë.”
Ai i përsëriti ankesat që i ka bërë shpesh në të kaluarën se forcat e tij kanë pësuar humbje shumë më të rënda se që ka qenë e nevojshme për shkak të përkrahjes jo të duhur dhe municionit të pamjaftueshëm nga ushtria ruse.
Më herët këtë muaj, Prigozhini kishte kërcënuar se do t’i tërhiqte trupat nga Bakhmuti, pasi kishte dhënë kritika të ashpra për ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, përderisa vetë qëndronte në një fushë me trupa të pajetë të luftëtarëve.

