Pamje: Ukraina e akuzon Rusinë se ka përdorur bomba fosfori në Bakhmut - NACIONALE

Pamje: Ukraina e akuzon Rusinë se ka përdorur bomba fosfori në Bakhmut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar qytetin Bakhmut me municione me fosfor. Në një video të publikuar nga ushtria ukrainase, Bakhmuti mund të shihet i kapluar nga zjarri dhe ai që duket si fosfor i bardhë duke rënë mbi këtë vendbanim.

Armët me fosfor të bardhë nuk janë të ndaluara, por përdorimi i tyre në zona civile konsiderohet krim lufte. Fosfori i bardhë shkakton zjarr që përhapet shpejt dhe që është shumë i vështirë për t’u shuar. Rusia është akuzuar se i ka përdorur këto armë më parë, raporton televizioni BBC.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se caqe të sulmit me fosfor ishin zonat e papushtuara të Bakhmutit me municion ndezës. Komanda e forcave speciale ukrainase shtoi se forcat ruse vazhduan që ta shkatërronin qytetin.

Është e paqartë se kur saktësisht ka ndodhur sulmi i pretenduar me fosfor, por videoja e publikuar nga Ukraina shfaq ndërtesa të larta të përfshira nga flakët. Si duket, videoja është incizuar me dron.

Rusia është akuzuar për përdorimin e fosforit të bardhë disa herë që nga fillimi i luftës vitin e kaluar, përfshirë rastin e rrethimit të Mariupolit në fillim të pushtimit.

Fosfori i bardhë është substancë që ndizet në kontakt me oksigjenin, duke krijuar tym të bardhë. Organizata “Human Rights Watch” ka paralajmëruar se kjo substancë është famëkeqe për ashpërsinë e lëndimeve që i shkakton.

Fosfori i bardhë digjet në 800 gradë Celsius dhe mund të shkaktojë djegie të rënda në trupin e njeriut. Ai është shumë ngjitës dhe i vështirë për t’u larguar si dhe mund të rindizet, kur të largohen fashat.

Rusia është nënshkruese e Konventës për Armë të Caktuara Konvencionale, me të cilën ndalohet përdorimi i armëve ndezëse në zona civile.

Megjithatë, sipas organizatës “Human Rights Watch”, fosfori i bardhë nuk përfshihet në këtë traktat, sepse qëllimi kryesor i përdorimit të tij është që të krijojë pengesë tymi për t’i fshehur operacionet ushtarake.

Kjo organizatë shtoi se fosfori i bardhë është përdorur vazhdimisht në 15 vitet e kaluara, përfshirë përdorimin nga forcat amerikane kundër ISIS-it në Irak dhe Siri.

Lajme të ngjashme