Prigozhini i “Wagner”-it thotë se kundërsulmi i Ukrainës tashmë ka filluar
Udhëheqësi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, tha të mërkurën se ia beson që kundërsulmi i premtuar nga Ukraina tashmë ka filluar dhe se forcat e tij janë duke parë veprime të shtuara përgjatë vijës së frontit.
Në një audio-mesazh të publikuar nga shërbimi i tij për medie në rrjete sociale, Prigozhini tha se “faza aktive” e kundërsulmit ukrainas do të fillojë në ditët e ardhshme, raporton agjencia “Reuters”.
Qeveria ukrainase ka premtuar qe një kohë të gjatë se do të bëjë një kundërsulm për ta filluar rimarrjen e territoreve të pushtuara në pjesën lindore, të cilat Rusia i ka aneksuar pas fillimit të luftës.
“Unë besoj se avancimi i ushtrisë ukrainase tashmë ka filluar... Po e shohim aktivitetin më të madh të mundshëm në perimetrin e vijave të frontit dhe brenda tyre. Prandaj, unë besoj se kjo tashmë ka nisur dhe besoj se do të hyjë e tëra në një fazë aktive në të ardhmen shumë të afërt. Mund të jetë çështje ditësh”- tha Prigozhini.
Më vonë, ai tha se forcat e tij kanë përparuar 230 metra gjatë luftimeve në qytezën Bakhmut. Dikur vendbanim i 70 mijë njerëzve, qyteza është shkatërruar pothuajse tërësisht gjatë rrethimit gati 10-mujor.
Sipas tij, forcat ukrainase tashmë janë të izoluara në një zonë prej vetëm 2,64 kilometrash katrorë. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që t’i vërtetojë raportimet nga fusha e betejës.
Prigozhini e përsëriti ankesën e tij se Rusia është duke i shpërfillur thirrjet e tij për ta shtuar furnizimin me predha.
“Ministria e Mbrojtjes (e Rusisë) nuk na ka ofruar municion artilerie dhe ne kemi burime vetëm për pak ditë. Ata i shpërfillin të gjitha kërkesat nga Wagner-i”- tha Prigozhini.

