Presidentja e Tajvanit arrin në ShBA pavarësisht nga paralajmërimi i Kinës
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, arriti në Nju Jork, ku u prit nga dy grupe me ndjenja të ndryshme – njëri grup e përkrahu, tjetri protestoi. Kina e ka cilësuar vizitën e saj provokim.
Tsai do të ndalet dy herë në Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës së saj 10-ditore në shtetet aleate të Tajvanit, Guatemala dhe Belize. Agjenda e saj nuk është publikuar dhe asnjëri nga organizimet nuk janë të hapura për publikun ose mediet, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, në disa video të shpërndara në rrjete sociale, presidentja Tsai shihet duke arritur në një hotel në Nju Jork, me ç’rast përshëndeti një turmë përkrahësish, të cilët mbanin në duar flamuj të ShBA-së e Tajvanit.
Një grumbull më i madh i njerëzve u mblodhën afër hotelit, duke valëvitur flamuj kinezë e amerikanë dhe duke mbajtur në duar pankarta në të cilat shkruhej “Në botë ekziston vetëm një Kinë”, “Pavarësia e Tajvanit nuk ka rrugëzgjidhje, pavarësia e Tajvanit është rrugë pa krye” dhe “Përkraheni ribashkimin e Kinës dhe me vendosmëri kundërshtojeni pavarësinë e Tajvanit”.
E rrethuar me forca të shumta sigurie dhe e shoqëruar nga de fakto ambasadorja e Tajvanit në ShBA, Hsiao Bi-khim, Tsai më vonë mori pjesë në një darkë me tajvanezë që jetojnë jashtë vendit. Ajo pritet të mbajë fjalim në një tubim në Institutin “Hudson”, ku do t’i jepet “çmimi për lidership global”.
Vizita dyditore e presidentes tajvaneze në Nju Jork është zyrtarisht “ndalesë transit”, e shtata në ShBA që nga koha kur ka ardhur në krye të vendit. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Kinës të mërkurën e kundërshtoi këtë përshkrim.
“Udhëtimi nuk është aq “transit”, por një përpjekje për të kërkuar depërtime dhe për ta propaganduar “pavarësinë e Tajvanit”- tha zëdhënësja e kësaj ministrie, Mao Ning.
Ndalesat janë jozyrtare dhe qeveria amerikane ka thënë se ajo nuk do të takohet me askënd nga administrata e presidentit Biden. Autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar Kinën që të mos e shfrytëzojnë vizitën “normale” të Tsai-t si pretekst për veprime armiqësore.

