ShBA-ja s’ia ka frikën Kinës, luftanija e saj kalon nëpër Ngushticën e Tajvanit
Një luftanije amerikane lundroi Ngushticën e Tajvanit, mes Kinës e Tajvanit, të enjten, duke nxitur kritika nga Pekini.
Ushtria amerikane tha se kalimi transit i luftanijes “Chung-Hoon” e dëshmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për një “Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Megjithatë, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha se ky lundrim ishte “për t’i treguar muskujt” dhe i akuzoi Shtetet e Bashkuara për “minimin e paqes dhe të stabilitetit”.
Tensionet në Ngushticën e Tajvanit u rritën vitin e kaluar. Kina i zhvilloi ushtrimet më të mëdha ushtarake ndonjëherë përreth ishullit pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, atje në gusht.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe është zotuar se do të bashkohet me të edhe me forcë, nëse është e nevojshme. Tajvani e cilëson veten të pavarur nga Kina.
Ushtria kineze tha se e ka vëzhguar kalimin e luftanijes amerikane nëpër Ngushticën e Tajvanit. Zëdhënësi i ambasadës kineze shtoi se vendi i tij “do t’i ruajë sovranitetin dhe integritetin e vet territorial”.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit janë rritur viteve të fundit dhe Tajvani është pikë e nxehtë në marrëdhëniet mes dy fuqive botërore. ShBA-ja ka marrëdhënie diplomatike me Kinën, të cilat mbështeten në njohjen e vetëm një qeverie kineze, ndërsa nuk ka lidhje zyrtare me Tajvanin, por ka marrëdhënie të fuqishme jozyrtare me të, përfshirë shitjen e armëve.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara akuzuan një aeroplan luftarak të forcave ajrore kineze për kryerje të një manovrimi të pasigurt, pasi ai fluturoi vetëm rreth gjashtë metra pranë një aeroplani të forcave ajrore amerikane mbi Detin e Kinës Jugore.
