Presidentja e Moldavisë thotë se do të votonte për bashkim me Rumaninë - NACIONALE

Presidentja e Moldavisë thotë se do të votonte për bashkim me Rumaninë

1 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka thënë se do të votonte për bashkimin e vendit të saj me Rumaninë, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nëse do të mbahej një referendum për këtë çështje për ta mbështetur mbrojtjen e demokracisë së brishtë kundër presionit rus.

Sandu, partia pro-evropiane e të cilës fitoi një mandat të ri në shtator, e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për ndërhyrje në Moldavi, ish-republikë sovjetike me rreth 2,4 milionë banorë, me shumicë rumanishtfolëse e me pakicë rusishtfolëse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse kemi një referendum, unë do të votoja për bashkimin me Rumaninë” – tha ajo në emisionin britanik, “The Rest is Politics”, i transmetuar të dielën.

“Shikoni se çfarë është duke ndodhur në botë. Po bëhet gjithnjë më vështirë që një shtet i vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, si shtet sovran, dhe, natyrisht, t’i rezistojë Rusisë” – shtoi kryeministrja moldave.

Rreth 1,5 milion moldavë kanë shtetësi rumune, por një sondazh i zhvilluar rishtazi tregoi se vetëm rreth një e treta e popullsisë e mbështet bashkimin me Rumaninë.

Sandu tha e e di që shumica e moldavëve nuk e mbështesin pozicionin e saj, duke shtuar se integrimi në Bashkimin Evropian është “objektiv më realist”.

Qeveria e saj i ka vënë synim vetes që vendin ta bëjë pjesë të BE-së deri në vitin 2030, por do t’i duhet që të zbatojë reforma të vështira përballë kundërshtimit nga Rusia. Socialistët pro-rusë ishin në pushtet hiç më larg se në vitin 2020.

Moldavia, e cila kufizohet edhe me Ukrainën, ishte pjesë e Rumanisë mes dy luftërave botërore, por u aneksua nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavarësinë e fitoi më 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë./Nacionale

Lajme të ngjashme