Presidentja e Meksikës thotë se vendi i saj do ta presë kombëtaren iraniane të futbollit, pasi ShBA-ja s’deshi
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se qeveria e saj është pajtuar që ta lejojë kombëtaren iraniane të futbollit të qëndrojë në Meksikë gjatë Kupës së Botës, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk deshën që ta bënin këtë gjë.
Zonja Sheinbaum tha se shtëpia botërore e futbollit, FIFA, kontaktoi me qeverinë e saj, pasi Shtetet e Bashkuara nuk deshën që ekipi iranian të qëndronte në territorin e tyre gjatë kampionatit botëror, edhe pse Irani është planifikuar që t’i luajë të tria lojërat e grupit të vet në ShBA, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Ne nuk kemi arsye që t’ua mohojmë atyre mundësinë e qëndrimit në Meksikë” – tha presidentja Sheinbaum gjatë konferencës së saj të përditshme për gazetarë.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Mehdi Taj, kryetar i Federatës së Futbollit të Iranit, tha të shtunën se vendqëndrimi i ekipit iranian do të zhvendoset nga Arizona e ShBA-së në qytetin kufitar meksikan, Tijuana.
Taj shtoi se ky vendim do të ndihmojë në shmangien e ndërlikimeve që lidhen me vizat dhe se ekipi do të mund të udhëtojë drejtpërdrejt drejt Meksikës përmes fluturimeve të kompanisë “Iran Air”.
Pjesëmarrja e Iranin në kampionatin që fillon më 11 qershor dhe përfundon më 19 korrik ishte vënë në pikëpyetje që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt.
Irani do t’i luajë dy ndeshjet e para të Grupit C në Los Angeles kundër Zelandës së Re më 15 qershor dhe kundër Belgjikës më 21 qershor, para se të ballafaqohet me Egjiptin në Seattle më 26 qershor./Nacionale