Presidenti tajvanez: Nëse Kina e dëshiron Tajvanin, duhet t’i marrë territore edhe Rusisë
Nëse pretendimet e Kinës për Tajvanin kanë të bëjnë me integritetin territorial, atëherë Pekini duhet të marrë territore edhe nga Rusia, pasi ia kishte dorëzuar gjatë dinastisë së fundit kineze në shekullin XIX, tha presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te.
Kina e sheh Tajvanin me qeverisje demokratike si territor të saj dhe kurrë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta vënë ishullin nën kontroll. Qeveria e Tajvanit i hedh poshtë pretendimet e Pekinit, duke thënë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet, raporton agjencia “Reuters”.
Duke folur në një televizion tajvanez të dielën vonë, Lai, që Kina e quan “separatist”, e përmendi Traktatin e Aigunit të vitit 1858, me të cilin Kina i kishte dorëzuar Perandorisë Ruse një sipërfaqe e madhe territoriale që tani është pjesë e lindjes së largët të Rusisë.
Dinastia Qing e Kinës, që atëherë ishte në rënie, fillimisht kishte refuzuar që ta ratifikonte traktatin, por dokumenti ishte futur në fuqi dy vjet më vonë në Konventën e Pekinit, të cilës Kina i referohet si njëra nga traktatet “e pabarabarta” me fuqitë e huaja në shekullin XIX.
“Synimi i KInës për ta sulmuar dhe për ta aneksuar Tajvanin nuk është për shkak të asaj që bën ose që thotë ndonjë person ose ndonjë parti politike në Tajvan. Nuk është për hir të integritetit territorial që Kina dëshiron ta aneksojë Tajvanin” – tha presidenti i vendit ishullor.
“Nëse është për hir të integritetit territorial, pse ajo [Kina] nuk i kthen tokat e pushtuara nga Rusia, për të cilat ishte nënshkruar në Traktatin e Aigunit? Rusia tani është në pikën e saj më të dobët, apo jo” – shtoi ai.
“Traktati i Aigunit, i nënshkruar gjatë [dinastisë] Qing – mund t’i kërkoni Rusisë [për kthimin e tokave], por nuk e bëni. Prandaj, është e qartë se ju nuk dëshironi ta pushtoni Tajvanin për arsye territoriale” – tha më tej presidenti tajvanez.
Zyra për Çështje të Tajvanit e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Qeveria kineze thotë se Tajvani ka qenë territor kinez që nga kohërat e lashta.
Lai tha se ajo që Kina e dëshiron në të vërtetë me qëndrimet e saj rreth Tajvanit është që ta ndryshojë rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla.
“Dëshiron që ta arrijë hegjemoninë në skenën ndërkombëtare, në Paqësorin Perëndimor – ky është synimi i vërtetë i saj” – tha presidenti i Tajvanit./Nacionale