Presidenti i Panamasë u kundërpërgjigjet prapë kërcënimeve të Trumpit për kanalin - NACIONALE

Presidenti i Panamasë u kundërpërgjigjet prapë kërcënimeve të Trumpit për kanalin

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Panamasë, Joe Raul Mulino, të enjten i përjashtoi bisedimet me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth kontrollit të Kanalit të Panamasë, duke mohuar se Kina është duke ndërhyrë në operimin e tij.

Mulino gjithashtu e refuzoi mundësinë për t’ua zvogëluar taksat anijeve amerikane si reagim ndaj kërcënimit të Trumpit për ta kërkuar marrjen e kontrollit të kanalit jetik që i lidh Oqeanin Atlantik dhe Oqeanin Paqësor, raporton gazeta “The Guardian”.

“Nuk ka asgjë për të biseduar. Kanali është panamas dhe u përket panamasve. Nuk ka mundësi për hapje të asnjë lloji të bisedimeve rreth këtij realiteti, i cili vendit i ka kushtuar gjak, djersë e lot” – tha ai.

Kanali ishte inauguruar më 1914 dhe ishte ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara, por i ishte dorëzuar Panamasë më 31 dhjetor 1999, sipas traktateve të nënshkruara dy dekada paraprakisht nga presidenti i atëhershëm amerikan, Jimmy Carter, dhe udhëheqësi nacionalist panamas, Omar Torrijos.

Trumpi të shtunën i kritikoi ato që i quajti taksa “qesharake” për anijet amerikane që kalojnë nëpër Kanalin e Panamasë dhe la të kuptohej se ndikimi i Kinës në të po rritej.

“Ishte vetëm për Panamanë që ta menaxhonte atë, jo për Kinën ose për këdo tjetër. Ne nuk do të lejonim dhe KURRË nuk do të lejojmë që ai të bjerë në duart e gabuara” – shkroi miliarderi amerikan në rrjetin “Truth Social”.

Nëse Panamaja nuk mund ta sigurojë “operimin e sigurt, efikas dhe të besueshëm” të kanalit, “atëherë ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë të na kthehet neve, plotësisht dhe pa mëdyshje” – shtoi ai.

Rreth 5 për qind e trafikut detar global kalon nëpër Kanalin e Panamasë, që u mundëson anijeve lundrim mes Azisë e bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara për ta shmangur rrugën e gjatë e të rrezikshme që kalon afër skajit jugor të Amerikës së Jugut.

Shtetet e Bashkuara janë shfrytëzueset kryesore të Kanalit të Panamasë, me rreth 74 për qind të mallit, të pasuara nga Kina me 21 për qind./Nacionale

Lajme të ngjashme