Presidenti i Koresë Jugore: Nëse Koreja Veriore përdor armë bërthamore, i japim fund regjimit të saj - NACIONALE

Presidenti i Koresë Jugore: Nëse Koreja Veriore përdor armë bërthamore, i japim fund regjimit të saj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Jugore e mbajti paradën e parë të madhe ushtarake në një dekadë të martën, duke shfaqur armë të ndryshme, përfshirë raketa balistike e tanke, përderisa po merr qëndrim më të ashpër ndaj Koresë Veriore.

Me këtë paradë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, që zakonisht dallohet me organizime të heshtura në krahasim me paradat masive të Koresë Veriore, ku përfshihen armë strategjike si raketat balistike ndërkontinentale, raporton agjencia “Reuters”.

Në një fjalim të mbajtur në Bazën Ajrore të Seulit, presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, e paralajmëroi Penjanin kundër përdorimit të armëve bërthamore dhe u zotua për ta shtuar përkrahjen për ushtrinë e vendit të tij dhe për industrinë e mbrojtjes.

“Nëse Koreja Veriore përdor armë bërthamore, regjimit të saj do t’i jepet fund nga një kundërpërgjigje dërrmuese nga aleanca Kore Jugore – ShBA”- tha presidenti Yoon para ushtarëve në mot me shi.

Në paradë u përfshinë mijëra trupa, tanke, artileri e 300 nga 28 mijë e 500 ushtarët amerikanë që ndodhen në këtë shtet, tha Ministria e Mbrojtjes.

Për më tepër, në paradë u shfaqën raketa të tipit “Hyunmoo”, pengues të raketave të tipit “L-SAM” e dronë zbulimi. Fluturimi i planifikuar i aeroplanëve luftarakë të tipit F-35 dhe të aeroplanëve vendës, KF-21, ishte anuluar për shkak të motit të lig, tha zyra presidenciale.

Për herë të fundit, Koreja Jugore kishte mbajtur paradë ushtarake në vitin 2023. Organizimi për Ditën e Forcave të Armatosura dhe parada u mbajtën para datës së vërtetë, 1 tetor, për shkak se këtë vit ajo ra në të njëjtën ditëm me një festë tjetër.

Presidenti Yoon ka marrë një pozicion më të ashpër kundër Koresë Veriore, ka premtuar kundërpërgjigje të shpejtë ndaj çfarëdo agresioni nga Penjani si dhe e ka përforcuar aleancën ushtarake me Shtetet e Bashkuara e me Japoninë.

Lajme të ngjashme