ShBA-ja, Japonia e Koreja Jugore pajtohen që t’i zgjerojnë lidhjet e sigurisë - NACIONALE

ShBA-ja, Japonia e Koreja Jugore pajtohen që t’i zgjerojnë lidhjet e sigurisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqësit e Japonisë dhe Koresë Jugore u pajtuan të premten që t’i zgjerojnë lidhjet ekonomike dhe të sigurisë mes vendeve të tyre në një samit historik në rezidencën presidenciale “Camp David” në ShBA, duke betonuar një marrëveshje të re me aleatët që janë në një ballafaqim gjithnjë më të tensionuar me Kinën dhe Korenë Veriore.

Bideni tha se të tria vendet do të themelojnë një linjë të komunikimit urgjent për të diskutuar rreth reagimeve ndaj rreziqeve. Ai i bëri të ditura marrëveshjet pas përfundimit të bisedimeve me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, dhe me presidentin e Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol.

“Vendet tona janë më të forta dhe bota do të jetë më e sigurt, përderisa qëndrojmë së bashku dhe unë e di që ky është një besim që e ndajmë të tre”- tha presidenti amerikan, raporton agjencia “Associated Press”.

“Qëllimi i bashkëpunimit tonë trepalësh për siguri është dhe do të mbetet që të promovohen dhe përforcohen paqja e stabiliteti në mbarë rajonin”- thuhet në një deklaratë të përbashkët të tre udhëheqësve shtetërorë.

Presidenti amerikan tha se ky samit nuk ishte për Kinën, por i përqendruar në çështje më të gjera të sigurisë. Megjithatë, në deklaratën e përbashkët përmbyllëse të samitit përmenden veprimet “e rrezikshme dhe agresive” të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe thuhet se ata “kundërshtojnë fuqishëm çfarëdo përpjekjeje të njëanshme për ta ndryshuar status-kuonë në ujërat e Indo-Paqësorit”.

Presidenti i Koresë Jugore e theksoi në veçanti rrezikun që paraqitet nga Koreja Veriore, duke thënë se tre udhëheqësit ishin pajtuar për t’i përmirësuar aftësitë e përbashkëta për reagim ndaj kërcënimeve bërthamore e raketore të Koresë Veriore, të cilat, sipas tij, janë bërë të sofistikuara më shumë se kurrë më parë.

Para bisedimeve, kryeministri japonez tha: “Fakti që ne, tre udhëheqësit, jemi bërë bashkë në këtë mënyrë, besoj se nënkupton që vërtet jemi duke bërë një histori të re që nga sot. Komuniteti ndërkombëtar është në një pikë kthese në histori.”

Tri shtetet e zhvilluara u pajtuan për një zotim sigurie, me të cilin i premtojnë komunikim njëra-tjetrës në rast të ndonjë krize të sigurisë ose në rast të ndonjë rreziku në rajonin e Oqeanit Paqësor.

Lajme të ngjashme