Polonia do që 100 mijë vullnetarë të marrin pjesë në ushtrime ushtarake më 2027 - NACIONALE

Polonia do që 100 mijë vullnetarë të marrin pjesë në ushtrime ushtarake më 2027

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të martën se Qeveria dëshiron të nisë një program të ri për ofrimin e ushtrimeve ushtarake vullnetare nga viti i ardhshëm, me synimin që 100 mijë vullnetarë të trajnohen në vitin 2027.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është që secili person i interesuar të mund të marrë pjesë në një ushtrim të tillë jo më vonë se më 2026 dhe kjo është një detyrë e vështirë, por unë e di se është e realizueshme” – tha Tusku para një takimi qeveritar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Më 2027, ne do ta arrijmë aftësinë për të trajnuar 100 mijë vullnetarë në vit… Përpos ushtrisë profesionale dhe përtej Forcës së Mbrojtjes Territoriale, ne duhet që de fakto të ndërtojmë një ushtri rezervistësh dhe veprimet tona do t’i shërbejnë këtij qëllimi” – shtoi ai.

Qeveria e mbështeti ofrimin e trajnimeve ushtarake të gjithë shtetasve të rritur javën e kaluar, përderisa Varshava po përgatitet për rreziqe nga Moska.

E nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, Polonia tani shpenzon përqindje më të lartë të prodhimit vendës bruto se cilido shtet tjetër i NATO-s.

Tusku tha se si masë nxitëse, Qeveria do ta analizojë mundësinë për marrjen e lejes profesionale të vozitjes, përfshirë automjetet e rënda të mallrave, gjatë ushtrimeve ushtarake.

“Kjo do të jetë e dobishme në rast lufte, por gjithashtu do të jetë e dobishme për ata që janë të interesuar për kualifikime të tilla” – tha kryeministri polka. Qeveria gjithashtu do ta shqyrtojë ofrimin e trajnimit profesional për grupe specifike profesionale.

Tusku tha më vonë në një shkrim të publikuar në rrjetin X se u tha ministrave që edhe anëtarët qeveritarë dhe zyrtarët do t’i nënshtrohen trajnimit ushtarak mbi bazë vullnetare, gjë që, sipas tij, u prit me mirëkuptim të plotë./Nacionale

Lajme të ngjashme