“Politika më hipokrite”, “Union me Putinin”: Shpërthen përplasja mes Polonisë e Hungarisë
Një përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Polonisë dhe Hungarisë, duke i vënë në pah tensionet e thella brenda Evropës për atë se si të trajtohet Rusia, kur Moska po e vazhdon luftën e saj në Ukrainë.
Polonia, njësoj si Gjermania, Franca dhe shumica e vendeve të tjera evropiane, është aleate e palëkundur e Ukrainës, ndërsa kryeministri populist hungarez, Viktor Orban, gjerësisht konsiderohet se i ka lidhjet më të ngrohta me Kremlinin në mesin e udhëheqësve të vendeve të BE-së, raporton agjencia “Associated Press”.
Qeveria polake ka qenë haptas kritikuese e Hungarisë për qëndrimin e Budapestit. Përplasja shpërtheu në fundjavë, kur Orbani e kritikoi ashpër Poloninë.
“Polakët po e ndjekin politikën më moralizuese dhe më hipokrite në tërë Evropën. Ata po na mbajnë neve mësime moralisht, duke na kritikuar për marrëdhëniet tona ekonomike me Rusinë, dhe në të njëjtën kohë po bëjnë biznes me rusët dhe po blejnë naftë tërthorazi dhe po e drejtojnë ekonominë polake me të” – tha Orbani.
Deklarata e kryeministrit hungarez nxiti një mohim dhe kundërpërgjigje me zemërim nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Władysław Teofil Bartoszewski, i cili të dielën tha: “Ne nuk bëjmë biznes me Rusinë, ndryshe nga kryeministri Orban, i cili është në margjinat e shoqërisë ndërkombëtare, edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO.”
Polonia dikur ishte e varur nga burimet ruse të energjisë, por me vite ka qenë duke punuar për t’u larguar nga nafta dhe gazi rus. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Polonia vendosi që t’i jepte fund importit të naftës ruse.
Magda Jakubowska, nëndrejtoreshë e revistës politike “Visegrad Insight”, që përqendrohet në Evropën Qendrore, tha se Polonia ende mund të ketë ca naftë ruse në rezerva nga dërgesat në të kaluarën, por se Varshava nuk importon më naftë nga Rusia. Naftësjellësi “Druzhba”, me të cilin sillej nafta nga Rusia në Poloni, “nuk është duke punuar më”, tha ajo.
Rreth 50 për qind e importit të Polonisë tani vjen nga Arabia Saudite dhe një pjesë nga Norvegjia, shtoi Jakubowska. Sipas saj, është e mundshme që një pjesë e importit të naftës që arrin në Poloni të ketë gjurmë tërthorazi në Rusi, por se ajo sasi do të ishte jodomethënëse.
Një vit më parë Orbani ka mundur ta bënte këtë pretendim, por tani, sipas saj, “ndoshta ai nuk është përditësuar [me të dhëna]”.
Zëvendësministri polak tha se Orbani duhet të bëjë një union me Putinin dhe madje sugjeroi se hungarezi duhet të largohet nga organizatat perëndimore. Komentet e tij u raportuan nga agjencia shtetërore polake e lajmeve, PAP.
“Nëse nuk dëshiron që të jesh anëtar i një klubi, gjithmonë mund të largohesh. Vërtet nuk kuptoj pse Hungaria dëshiron që të mbetet anëtare e organizatave që nuk i pëlqejnë shumë dhe të cilat gjoja e trajtojnë aq keq” – tha Martoszewski.
Përplasja nuk mbaroi këtu.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, iu kundërpërgjigj zëvendësministrit polak në rrjetin “Facebook”, duke thënë: “Për një kohë të gjatë, ne i toleruam provokimet dhe hipokrizinë e qeverisë së tanishme polake me qëllim të ruajtjes së vëllazërisë polako-hungareze, por na u bë mjaft.”
Polonia dhe Hungaria kanë historikisht lidhje të forta. Orbani kalonte shumë mirë me populistët konservatorë që e qeverisën Poloninë në periudhën 2015 – 2023 falë pikëpamjeve të njëjta për emigrantët dhe BE-në.
Megjithatë, lidhjet filluan të përkeqësoheshin pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Raportet u bënë edhe më të ftohta pas ardhjes në pushtet të një qeverie pro BE-së në Poloni me kryeministrin Donald Tusk në dhjetor./Nacionale