Policia e Ukrainës zbulon një rrjet të abuzimit seksual me fëmijë rusë - NACIONALE

Policia e Ukrainës zbulon një rrjet të abuzimit seksual me fëmijë rusë

2 muaj më parë

nga Miranda Shala

Policia ukrainase ka zbuluar një rrjet të përhapur të abuzimit seksual të fëmijëve, që përfshinte dhjetëra fëmijë rusë, imazhet dhe videot e të cilëve dyshohet se tregtoheshin brenda dhe jashtë vendit - por tha se për shkak të luftës ishte e pamundur që rasti të ndiqej edhe më tej.

Sipas The Guardian lidhur me rastin është arrestuar një burrë ukrainas, ndërsa janë identifikuar 15 fëmijë rusë, të cilët aktualisht banojnë në Rusi, por prokurorët në rajonin e Kievit kanë thënë se nuk janë në gjendje të gjurmojnë viktima të tjera ose të arrestojnë të dyshuar të tjerë për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve Rusi-Ukrainë që nga pushtimi.

"Këto lloj krimesh janë fatkeqësisht të zakonshme kudo, në Ukrainë dhe Evropë," tha Oleh Tkalenko, një prokuror i lartë për rajonin e Kievit, i cili drejtoi hetimin. “Por ajo që na tmerron është përmasa e madhe e këtyre krimeve në Rusi”, ka shtuar më tej ai.

“Viktimat e këtyre krimeve janë segmentet më të cenueshme të popullsisë,” tha Tkalenko, duke shtuar se, “prindërit që i shtyjnë fëmijët e tyre ta bëjnë këtë janë jashtëzakonisht të varfër dhe është vërtet e vështirë të ndalosh përhapjen e këtyre skedarëve. Është vërtet zhgënjyese, sepse, për shkak të konfliktit, të gjitha kontaktet tona me kolegët rusë janë ndërprerë”.

Bëhet e ditur se hetimi për rrjetin kishte nisur në qershor, kur njësia e policisë ukrainase për krimin kibernetik mori informacion se një numër i madh i imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve po shkarkoheshin dhe ruheshin në rajonin e Kievit.

Një muaj më vonë prokurorët kontrolluan një shtëpi në Bucha ku u gjetën dosje që përmbanin më shumë se 100,000 imazhe dhe video të abuzimit seksual të fëmijëve.

"Ne u përpoqëm menjëherë të identifikonim fëmijët dhe viktimat e këtyre krimeve që ishin të përfshirë në rrjet," tha Tkalenko. “U tronditëm kur mësuam se ata ishin të gjithë shtetas rusë. Deri më tani kemi identifikuar 15 prej tyre, por bëhet fjalë për dhjetëra fëmijë të përfshirë”.

Njoftohet se të dyshuarit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga gjyqtarët në pritje të aktgjykimit, ndërsa nëse shpallet fajtor, burri do të përballet me 5 vjet burg.

Lajme të ngjashme