Polici gjermane bastis disa lokacione në lidhje me trafikimin e emigrantëve sirianë - NACIONALE

Polici gjermane bastis disa lokacione në lidhje me trafikimin e emigrantëve sirianë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia në Gjermani gjeti mbi 100 shtetas sirianë brenda banesave e ndërtesave të tjera që u bastisën të martën në lidhje me dyshimin për trafikim të emigrantëve, raporton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Më shumë se 350 oficerë federalë policorë bastisën lokacione si pjesë e hetimit. Dyshohet se sirianët ishin sjellë në Gjermani pa pasur dokumente të ligjshme të banimit, raporton agjencia DPA, përcjell agjencia “Associated Press”.

Policia ekzekutoi pesë fletarrestime, tri në qytezën veriore, Stade, ndërsa dy në qytezën perëndimore, Gladbeck. Pesë të arrestuarit ishin azilkërkues sirianë që tashmë po jetonin në Gjermani.

Emigrantët sirianë ishin detyruar që t’u jepnin atyre nga tre mijë deri në shtatë mijë euro për t’i futur në Gjermani. Të dyshuarit pastaj kishin blerë ar me ato para, thuhet në raportimin e agjencisë DPA.

Urdhri për këto bastisje ishte dhënë nga policia federale në aeroportin e Frankfurtit nën dyshimin për ekzistimin e një bande dhe për trafikimin e të huajve me qëllime përfitimi.

Në fokus të bastisjeve ishin qytetet dhe qytezat në pjesët veriore e perëndimore të Gjermanisë, por edhe në Bavari, në jug, shtoi agjencia DPA.

Lajme të ngjashme