Policia gjermane arreston shtatë persona, dyshohen për formimin e një grupi terrorist si ISIS-i - NACIONALE

Policia gjermane arreston shtatë persona, dyshohen për formimin e një grupi terrorist si ISIS-i

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia gjermane arrestoi shtatë persona të enjten nën dyshimin për formimin e një grupi terrorist me qëllim të kryerjes së sulmeve të profilit të lartë, të ngjashme me ato të ISIS-it, thanë prokurorët gjermanë.

Shtetasit e Turkmenistanit, Taxhikistanit dhe Kirgizisë u arrestuan në shtetin perëndimor gjerman, Nordrhein-Westfalen. Ata e kishin njohur njëri-tjetrin për një kohë të gjatë dhe kishin hyrë në Gjermani nga Ukraina pak pas fillimit të luftës më 2022, thanë prokurorët.

Ata formuan një organizatë terroriste në qershor të vitit të kaluar dhe i kishin shqyrtuar caqet në Gjermani e ishin përpjekur që të siguronin armë, por në kohën e arrestimit nuk kishin plane për ndonjë sulm, sipas deklaratës së prokurorëve, raporton agjencia “Reuters”.

Përpos shtetasit të Kirgizisë, të dyshuarit e arrestuar në Gjermani ishin duke mbledhur edhe të holla për ISIS-in nga prilli i vitit të kaluar dhe në mënyrë të vazhdueshme ia kishin dërguar ato grupit jashtë vendit.

Autoritetet holandeze të enjten arrestuan dy të dyshuar shtesë të lidhur me këtë grup, një burrë nga Taxhikistani dhe bashkëshorten e tij ng Kirgizia, të cilët ishin duke jetuar në Holandë nga viti i kaluar.

Burri dyshohet se është anëtar i ISIS-it dhe se kishte marrë urdhër për të komplotuar një sulm, edhe pse planet ende nuk ishin konkrete, thanë prokurorët holandezë.

Lajme të ngjashme