"Po më duket sikur jam në filma": Amerikani bllokohet në taksin pa shofer, vetura bën rrathë
Një ndërmarrës i teknologjisë që jeton në Los Angeles u bllokua në një veturë pa shofer për disa minuta muajin e kaluar, duke rrezikuar që ta humbte fluturimin, tha ai.
Mike Johns ndodhej në një veturë autonome “Waymo” rrugës për në aeroportin “Sky Harbor” në Pohenix, kur automjeti filloi të sillej nëpër një parking në mënyrë të përsëritur, duke bërë rrathë tetë herë, përderisa ai ishte në telefon duke kërkuar ndihmë nga kompania, raporton gazeta “The Guardian”.
“E vendosa rripin e sigurisë. Nuk mund të dal nga vetura. A është hakuar kjo? Çfarë është duke ndodhur” – dëgjohet duke i thënë ai një përfaqësueseje të kompanisë. “Më duket sikur jam në filma. A po bën dikush shaka me mua? Më duhet të zë një fluturim” – shtoi ndërmarrësi.
Ai i tha gazetës “The Guardian” se fillimisht besoi që dikush po tallej me të. “Duke pasur shumë miq të zgjuar që punojnë në teknologji… [mendova] se ndoshta ishte shoku im” – tha Johns. Megjithatë, pasi vetura vazhdoi që të sillej në parking, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një problem të vërtetë.
Përfaqësuesja e kompanisë “Waymo” e këshilloi atë që ta hapte aplikacionin, përderisa jo mundohej ta ndalte veturën, por në video dëgjohej duke thënë se “nuk ka opsion për ta kontrolluar automjetin”.
Problemi u zgjidh pas disa minutave, tha kompania në një deklaratë. Amerikani në fund nuk e humbi fluturimin nga Arizona në Kaliforni, për të cilin tha se fatmirësisht ishte shtyrë. Megjithatë, Johns tha se ishte i frustruar nga kjo përvojë dhe se nuk ishte në gjendje që të kuptonte nëse përfaqësuesja e kompanisë me të cilën bisedoi ishte njeri apo inteligjencë artificiale.