Plani i Zvicrës për mbetjet bërthamore, shqetësime në Gjermani - NACIONALE

Plani i Zvicrës për mbetjet bërthamore, shqetësime në Gjermani

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një plan për një strukturë magazinimi të mbetjeve bërthamore në Zvicër po ngre shqetësime për sigurinë tek gjermanët afër kufirit.

Sipas Deutche Welle, Zvicra ka njoftuar planet për të ndërtuar një objekt të depozitimit të mbetjeve bërthamore në kufirin me Gjermaninë, duke i lënë komunitetet atje të shqetësuara për çështjet e sigurisë dhe furnizimit me ujë të pijshëm të pastër.

Është bërë e ditur se prapa këtij propozimi qëndron Kooperativa Kombëtare për Asgjesimin e Mbetjeve Radioaktive (Nagra). Zyra Federale Zvicerane ka thënë se kooperativa ka sugjeruar rajonin e Nördlich Lägern, në veri të Cyrihut dhe afër kufirit me Gjermaninë.

Nagra u krijua nga operatorët e termocentraleve së bashku me qeverinë zvicerane për t'u marrë me çështjen e diskutueshme se si të asgjësohen mbetjet radioaktive.

Si mund të garantohet siguria e mbetjeve?

Sipas një zyrtari të Nagra, mbetjet do të futeshinë në argjilë, disa qindra metra nën tokë.

"Koha e kërkuar e izolimit është rreth 200,000 vjet për mbetjet e nivelit të lartë dhe rreth 30,000 vjet për mbetjet e nivelit të ulët dhe të mesëm," thuhet në faqen e internetit të Nagra.

Mbetjet do të merren nga pesë centrale bërthamore zvicerane. E përveç tyre, mbetje do të ketë edhe nga sektorët mjekësorë dhe industrialë.

Për momentin, Zvicra ka katër centrale aktive të cilat mund të vazhdojnë funksionimin e tyre për aq kohë sa të kenë siguri të garantuar – deri në vitet 2040.

Megjithatë, e ashtuquajtura depo gjeologjike e thellë për karburantin bërthamor të harxhuar dhe mbetje të tjera radioaktive duhet të miratohet si nga qeveria ashtu edhe nga parlamenti zviceran. Proces ky që pritet të zgjasë disa vite.

Komunitetet dhe zyrtarët gjermanë mbeten të shqetësuar

Megjithatë, midis komuniteteve gjermane përgjatë kufirit shqetësimet janë të larta dhe kanë të bëjnë kryesisht me çështjet e sigurisë dhe furnizimit me ujë të pijshëm.

"Çështja e mbrojtjes së ujit të pijshëm është një shqetësim i madh për popullatën," është shprehur Martin Steinebrunner nga zyra gjermane e koordinimit për objektin e planifikuar të mbetjeve.

Ministria Federale Gjermane për Mjedisin ka kritikuar vendimin e Zvicrës për të ndërtuar një depo të mbetjeve bërthamore pikërisht në kufirin me Gjermaninë.

Në Gjermani, vendimi për një depo të dedikuar për mbetjet bërthamore shumë radioaktive nuk do të diskutohet deri në vitin 2031.

Proces i gjatë para fillimit të ndërtimit

Nëse objekti i depozitimit miratohet, mbetet ende e paqartë se ku do të përgatiten dhe paketohen mbetjet bërthamore për magazinim përfundimtar.

Nagra ka thënë se do të paraqesë një aplikim deri në vitin 2024. Më pas qeveria zvicerane merr një vendim për aplikimin dhe pastaj duhet të miratohet nga parlamenti.

Duke marrë në konsideratë këtë proces, duket se nuk ka gjasa që fillimi i objektit të magazinimit të ndodhë para vitit 2050.

Lajme të ngjashme