Pezullohet drejtori i OBSh-së për Azi, i akuzuar për racizëm dhe abuzim - NACIONALE

Pezullohet drejtori i OBSh-së për Azi, i akuzuar për racizëm dhe abuzim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Paqësorin Perëndimor, Dr. Takeshi Kasai, është pezulluar për kohë të pacaktuar nga puna, sipas të dhënave të brendshme, të siguruara nga agjencia “Associated Press”.

Largimi i tij vjen disa muaj pas një hulumtimi të agjencisë AP, me të cilin u zbulua se dhjetëra pjesëtarë të stafit e akuzonin drejtorin për racizëm, sjellje abuzuese e joetike, që i ka mohuar përpjekjet e kësaj organizate për ta ndalur pandeminë e koronavirusit në Azi.

Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka thënë stafit në Paqësorin Perëndimor përmes një shkrese elektronike se Kasai është në pushim pa dhënë hollësi të tjera.

Ai shtoi se zëvendësdrejtorja e përgjithshme, Zsuzsanna Jakab, do të arrijë të martën në Manila, ku është selia qendrore rajonale e OBSh-së, për ta siguruar vazhdimin e punës.

Dy zyrtarë të lartë të OBSh-së, të cilët kërkuan që të mos u publikohet emri për shkak se nuk ishin të autorizuar që të flisnin me gazetarë, thanë se ndaj Kasai-t është marrë masa e pezullimit administrativ, pasi hetuesit e brendshëm kanë gjetur dëshmi për disa nga ankesat për sjellje jo të duhur.

Përmes një deklarate, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk dihet se sa do të mbetet i pezulluar Kasai. Kjo agjenci tha se hetimet rreth tij janë duke vazhduar dhe se besohet që kjo është hera e parë që një drejtor rajon i saj është liruar nga detyrat. Kasai nuk i është përgjigjur kërkesës për koment, por më parë ka mohuar se ka përdorur gjuhë raciste ose që është sjellë në mënyrë joprofesionale.

Në janar, agjencia AP raportoi se mbi 30 pjesëtarë të paidentifikuar të stafit i dërguan një ankesë konfidenciale udhëheqësisë së lartë të OBSh-së dhe anëtarëve të bordit ekzekutiv të saj, duke pretenduar se Kasai kishte krijuar “atmosferë toksike” në zyrat e organizatës në Paqësorin Perëndimor./Nacionale

Lajme të ngjashme