Peskov: Furnizimi i Ukrainës më raketa Patriot, nuk do të dëmtojë qëllimet ushtarake të Rusisë - NACIONALE

Peskov: Furnizimi i Ukrainës më raketa Patriot, nuk do të dëmtojë qëllimet ushtarake të Rusisë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kremlini ka paralajmëruar të enjten se furnizimi i Ukrainës me raketa Patriot të ShBA-së, për të cilat u ra dakord gjatë udhëtimit të Volodymyr Zelenskyt në Uashington, nuk do ta ndalonin Moskën të arrijë qëllimet e saj ushtarake.

Përmes një telefonate me gazetarët, bëhet e ditur se zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nga takimi i Zelenskyt me Biden, nuk kishte shenja se Ukraina ishte gati për bisedime për paqe.

Ndër të tjera, sipas The Guardian, Peskov ka sugjeruar se ShBA ishte duke bërë një luftë prokure me Rusinë dhe ishte e vendosur të vazhdonte deri “në ukrainasin e fundit”.

"Kjo nuk është e favorshme për një zgjidhje të shpejtë, përkundrazi," ka thënë Peskov, referuar raketave Patriot. Ai më tej ka shtuar se kjo nuk mund ta pengojë Federatën Ruse të arrijë qëllimet e saj gjatë operacionit special ushtarak".

Kujtojmë se, gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës në shkurt, presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky ka mbajturr një fjalim sfidues në një sesion të përbashkët të Kongresit të ShBA-së. Në fjalimin e tij, Zelensky tha se, vendi i tij nuk do t’i dorëzohej kurrë agresionit rus dhe se mbështetja e vazhdueshme e Shtëpisë së Bardhë ishte çelësi për fitoren përfundimtare.

Fjalimi i Zelenskiyt u shoqërua më duartrokitje të shumta teksa theksoi se rezultati i luftës do të përcaktonte rendin e ardhshëm botëror.

“Do të përcaktojë nëse do të jetë një demokraci – për ukrainasit dhe për amerikanët – për të gjithë”, është shprehur Zelensky në Kongres, duke thënë se viti 2023 do të ishte një "pikë kthese" në luftën e Ukrainës për të çliruar territorin e saj.

Gjatë vizitës së Zelenskyt, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 1.85 miliardë dollarësh, për të cilën Zelensky tha se do ta rriste ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe do të ndalonte Rusinë të godiste infrastrukturën kritike.

Suksesi i udhëtimit të Zelenskyt në ShBA do të paraqesë një dilemë strategjike për Putinin, pasi koalicioni anti-Kremlin i udhëhequr nga ShBA-ja po zgjat më shumë se 10 muaj nga lufta, duke kaluar pritshmëritë e Moskës.

Lajme të ngjashme