Zelensky thotë se raketat Patriot të ShBA-së do të ndryshojnë lojën
Në konferencën e përbashkët për shtyp të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit ukrainas, Volodomyr Zelensky, është njoftuar zyrtarisht edhe ndihma shtesë prej 1.8 miliardë dollarësh si dhe dërgimi i sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë
Në fjalën e tij, Zelensky e quajti sistemin e mbrojtjes Patriot, një "hap shumë të rëndësishëm për të krijuar hapësirë të sigurt ajrore mbi Ukrainë", duke shtuar se,"kjo do të forcojë në mënyrë të konsiderueshme mbrojtjen e vendit”.
Duke mos dhënë më shumë detaje për arsye sigurie, Zelensky tha se muajt e ardhshëm do të forcohet edhe më shumë mbrojtja e vendit, ndërsa kërkoi nga Kongresi i ShBA-së të miratojë më shumë fonde, duke thënë se gjithçka "do të shkojë drejt forcimit të sigurisë sonë globale".
Ndër të tjera, Zelensky rikujtoi se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka që ka bërë.
