Përplasje pushtetesh në Poloni: Presidenti e quan anarki vendimin e Qeverisë për mediat publike - NACIONALE

Përplasje pushtetesh në Poloni: Presidenti e quan anarki vendimin e Qeverisë për mediat publike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e re e Polonisë i ka shkarkuar udhëheqësit e televizionit publik, duke e nisur kështu përmbushjen e një premtimi të fushatës për ta reformuar transmetuesin që funksiononte si zëdhënës i pushtetit të kaluar, por edhe duke nxitur kritika për metodat e përdorura.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Donald Tusk e mori detyrën të mërkurën e kaluar. Pushteti i ri ka premtuar se do të nisë një program ambicioz për ta riparuar dëmin që i është shkaktuar sundimit të ligjit në vend gjatë tetë viteve pushtet të partisë nacionaliste, Ligj dhe Drejtësi (PiS), raporton gazeta “The Guardian”.

Gjatë pushtetit të kësaj partie, mediat shtetërore ishin akuzuar për promovim të politikave të partisë dhe kishin bërë sulme të egra personale ndaj figurave opozitare, sidomos ndaj Tuskut. “Do të na duhen saktësisht 24 orë për ta kthyer PiS TV-në në televizion publik. Më merrni për fjale për këtë”- kishte thënë Tusku gjatë fushatës në fillim të tetorit.

Megjithatë, qeverisë së tij iu nevojit një javë. Të martën, përbërja e re e Kuvendit miratoi një rezolutë, me të cilën bëhet thirrje për rivendosjen e “paanshmërisë dhe besueshmërinë e mediave shtetërore”. Pas miratimit të rezolutës, ministri i ri i Kulturës, Bartlomiej Sienkiewicz, njoftoi se shefat e bordeve të televizionit shtetëror, lajmeve dhe radios shtetërore janë shkarkuar nga detyra.

Votimi i rezolutës i nxiti deputetët e partisë PiS që të mbanin një protestë para objektit qendror të televizionit publik.

Transmetimi i rregullt 24-orësh i televizionit TVP u pezullua të mërkurën. Në ekran shihej vetëm logoja e televizionit.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, foli të enjten në mëngjes kundër vendimit të Qeverisë për t’i ndryshuar mediat shtetërore.

Duke folur në transmetuesin privat, Radio Zet, Duda tha se masat e qeverisë së re e shkelin kushtetutën përmes tejkalimit të procedurave të nevojshme parlamentare.

“Këto janë veprime tërësisht të paligjshme. Kjo është anarki”- tha ai.

Lajme të ngjashme