Përplasje politike në Liban për 'ndërrimin e orës': Kryeministri vendos të mos ndërrohet për të bërë iftar më herët, plas kaosi - NACIONALE

Përplasje politike në Liban për 'ndërrimin e orës': Kryeministri vendos të mos ndërrohet për të bërë iftar më herët, plas kaosi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njerëzit në Liban janë zgjuar sot në mëngjes në dy zona rivale kohore, mes përplasjeve të autoriteteve politike e religjioze nëse ora duhej apo nuk duhej të shkonte përpara.

Sot ne u zgjuam në mëngjes me orën që kishte lëvizur një orë para. Por, për Libanin ky është shëndërruar në problem politik.

Kryeministri në detyrë, Najip Mikati, ka njoftuar se ora do të lëvizte vetëm në fund të muajit të Ramazanit duke i lejuar muslimanët që të agjëronin më lehtë.

Por, autoritetet krishtere thanë se do të ndërronin orën gjatë ditës së sotme, siç ndodh shumicën e viteve, raporton BBC.

Shumë biznese kanë dëgjuar këta të fundit.

Kjo përplasje ilustron ndasitë e thella në vendin ku faksionet e krishtere dhe myslimane kishin bërë edhe luftë civile në fund të viteve ’70 dhe në vitet ’80, dhe ku pozicionet politike ndahen mes grupeve religjioze.

Të enjten, kryeministri Mikati – një musliman sunit – njoftoi vendimni e tij për të shtyrë ndërrimin e orës deri më 20 prill.

Ai nuk dha arsye për këtë veprim, por shumë komentues besojnë që e ka bërë në mënyrë që ta rriste popullaritetin e tij gjatë muajit të shenjtë musliman të ramazanit. Ky muaj i agjërimit nisi më 22 mars dhe mbaron më 21 prill.

Nëse koha mbetet e pandryshuar, muslimanët mund të bëjnë iftar një orë më herët, rreth orës 18:00 në vend të orës 19:00 nëse ora do të ndërronte.

Por, Kisha e Krishtere e Libanit që ka pushtet të madh ka thënë se nuk do ta përfillte këtë vendim, duke e cilësuar edhe si “befasues”.

Shumë organizata të mëdha libaneze po ashtu kanë vendosur që ta injorojnë. Dy kanale lajmesh, LBCI dhe MTV, i ndërruan orët po ashtu.

Ndërkohë, kompania ajrore Middle East Airlines, vendosi të bënte një kompromis. Ata thanë se orët e saj do të mbesnin me kohën dimërore por fluturimet e saj do të përshtateshin për të shmangur prishjen e orareve të fluturimeve ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme