Përpjekje për të ulur çmimet, Biden njofton hedhjen e rezervave të naftës në treg
Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar të mërkurën për disa hapa që kanë për synim lehtësimin e krizës së furnizimit me naftë dhe uljen e çmimeve të gazit.
Duke folur nga dhoma Roosvelt, Biden konfirmoi lëshimin e 15 milionë fuçive me naftë nga stoku i vendit në muajin dhjetor.
“Me njoftimin tim sot do të vazhdojmë të stabilizojmë tregjet dhe të ulim çmimet në një kohë kur veprimet e vendeve të tjera kanë shkaktuar kaq shumë paqëndrueshmëri”, u shpreh Biden.
Ai gjithashtu tha se administrata është duke marrë hapin e pazakontë të planifikimit për të blerë naftë për të rindërtuar rezervën strategjike sapo nafta e papërpunuar të bjerë nën 70 dollarë për fuçi.
Ndërsa, zyrtarët thanë se vendimi synon të dërgojë një sinjal të qartë në treg dhe të stimulojë prodhimin vendas të naftës.
Në fjalën e tij, presidenti amerikan gjithashtu akuzoi kompanitë e naftës për rritje të çmimeve.
"Ju nuk duhet të përdorni fitimet tuaja për të blerë aksione ose për dividentë. Jo tani, jo ndërkohë që po zhvillohet një luftë. Ju duhet të përdorni këto fitime rekord për të rritur prodhimin dhe rafinimin. Investoni në Amerikë për popullin amerikan. Ulni çmimin që vendosni në pompë për të pasqyruar atë që paguani për produck," iu drejtua Biden kompanive.
Megjithatë, kompanitë e naftës dhe disa analistë të energjisë kanë kundërshtuar vazhdimisht thirrjet e tij për të rritur prodhimin, duke thënë se rritja e prodhimit nuk është aq e thjeshtë apo e lehtë dhe se ka edhe faktorë të tjerë në lojë.
Kostoja e gazit, e shoqëruar me inflacionin e përgjithshëm të lartë, ka çuar në muaj të tërë të kritikave të zbehta nga republikanët, pasi sondazhet kanë treguar se votuesit janë të mërzitur me mënyren e trajtimit të çështjeve ekonomike nga Biden.
E ndërkohë që zgjedhjet afatmesme afrohen dhe 15 milionë fuçitë me naftë nuk do të lëshohen në treg deri në dhjetor, zyrtarët e administratës thanë se Biden po bën njoftimin tani për shkak të politikës standarde të Departamentit të Energjisë që kërkon një njoftim paraprak për lëshimin.
I pyetur nga një gazetar për këtë vendim, Biden mohoi se veprimi ishte i motivuar politikisht - për të ndihmuar demokratët përpara zgjedhjeve afatmesme.
"Është e motivuar nga ajo që të ketë mjaftueshëm naftë që pompohet nga kompanitë, në mënyrë që të jemi në gjendje të prodhojmë gaz të mjaftueshëm që na nevojitet në shtëpi,” u përgjigj Biden.

