Përmbledhje e ngjarjeve kryesore të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë
Një vendim i ri nga Putini për ligjin ushtarak, një marrëveshje e re Putin-Erdogan, zhvendosja e civilëve nga Kherson e sulme të reja në Ukrainë – edhe dita e 239-të e pushtimit rus në Ukrainë është pasqyruar me zhvillime mjaft të rëndësishme.
Në vazhdim, Nacionale sjell shkurtimisht ngjarjet kryesore të ditës nga ky konflikt.
- Vladimir Putin ka shpallur ligjin ushtarak në katër provincat e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia. Ligji u jep kompetenca emergjente krerëve të instaluar nga Rusia në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Ky vendim është parë nga Ukraina si "pseudo-legalizim i grabitjes së pronës së ukrainasve".
- Putin ka urdhëruar gjithashtu një "mobilizim ekonomik" në gjashtë provinca ruse që kufizojnë Ukrainën, plus Krimenë dhe Sevastopolin, të cilat Rusia i aneksoi ilegalisht në 2014. Ai tha se po u jepte autoritet shtesë udhëheqësve të të gjitha provincave për të ruajtur rendin publik dhe për të rritur prodhimin në mbështetjen e luftës së Moskës. Me anë të këtij ligji kufizohet edhe liria për të lëvizur brenda dhe jashtë tetë provincave.
- Sipas mediave shtetërore ruse, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se ka rënë dakord me Vladimir Putinin për të krijuar një “qendër gazi” në Turqi. Krijimi i qendrës ishte diskutuar nga dy liderët gjatë një takimi të zhvilluar javën e kaluar në Astana të Kazakistanit.
- Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar për një sulm ukrainas në qytetin kyç jugor të Khersonit, që solli plane për zhvendosjen e 60 mijë njerëzve përtej lumit Dnieper dhe në Rusi. Komandanti i ri i ushtrisë së Moskës në Ukrainë njoftoi të martën se civilët po "zhvendosen" nga Khersoni, duke e përshkruar situatën ushtarake si "të tensionuar".
- Kryetari i Kievit ka njoftuar se disa raketa ruse janë rrëzuar mbi kryeqytet, ndërsa janë raportuar shpërthime të forta në qendër.
- Shefja e Komisionit Evropian, ka thënë se sulmet e Rusisë në infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë janë “akte terrori i pastër”. Komentet e Ursula von der Leyen erdhën pasi qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa energji dhe ujë si rezultat i sulmeve ruse.
- Presidenti Zelensky ka njoftuar se zyrtarët ukrainas janë duke punuar për të krijuar pika të lëvizshme të energjisë, pas Rusia ka nisur sulme kundër infrastrukturës energjetike të vendit.
- BE ka planifikuar vendosjen e sanksioneve ndaj tre komandantëve të lartë ushtarakë iranianë dhe kompanisë që zhvillon dronët që besohet se janë përdorur në sulmet e Rusisë në Ukrainë. Sipas The Guardian, drafti i listës së sanksioneve, pritet të miratohet brenda disa ditësh, duke treguar se ministrat e BE-së nuk i besojnë mohimet e Iranit se ka furnizuar Rusinë me dronë.
- Pavarësisht një kërkese nga Kievi për furnizime të mbrojtjes ajrore, përballë sulmeve me dronë iranianë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka përsëritur se vendi nuk do t'i shesë armë Ukrainës. Izraeli ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, por nuk ka dërguar pajisje ushtarake.
- Sipas disa raporteve të publikuara, Shtëpia e Bardhë po ndërmerr "çdo hap të mundshëm" për të shmangur një takim të drejtpërdrejtë midis presidentit Joe Biden dhe Vladimir Putin në samitin e G20, që do të mbahet në Indonezi muajin e ardhshëm.
- Downin Street ka thënë se, Putin do të përballet me “pasoja të rënda” nëse përdor armë bërthamore në luftën në Ukrainë.

