Putini e shpall ligjin e luftës në katër zonat e aneksuara të Ukrainës - NACIONALE

Putini e shpall ligjin e luftës në katër zonat e aneksuara të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka shpallur ligjin e luftës në katër provincat e Ukrainës ku Rusia kontrollon territore, pasi zyrtarët rusë paralajmëruan për një sulm të forcave ukrainase në qytetin kyç në jug, Kherson.

“Po punojmë për të zgjidhur detyra shumë komplekse e të shkallës së lartë për të siguruar një të ardhme të besueshme për Rusinë, të ardhmen për popullin tonë”, tha presidenti rus në një adresim para anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Me këtë ligj, të publikuar në uebfaqen e Kremlinit, u jep kompetenca të gjera urgjente udhëheqësve të rajoneve Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilët janë emëruar nga Rusia, shkruan gazeta “The Guardian”.

Putini gjithashtu ka dhënë urdhër për “mobilizim ekonomik” në tetë provincat ruse që kufizohen me Ukrainën, përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e ka aneksuar nga Ukraina më 2014.

Presidenti rus tha se do t’u japë autoritet shtesë udhëheqësve të të gjitha provincave ruse për ta mbajtur rendin publik dhe për ta shtuar prodhimin për ta përkrahur luftën, e cila është në muajin e tetë.

Me këtë ligj kufizohet edhe liria për të hyrë dhe për të dalë nga tetë provincat ruse që kufizohen me Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme