Komandanti i forcave ruse në Ukrainë pranon se situata në Kherson është e tendosur
Komandanti i forcave ruse në Ukrainë, Gjeneral Sergei Surovikin, ka thënë se situata në qytetin jugor ukrainas, Kherson, është e vështirë dhe se banorët do të evakuohen.
Surovikin-i tha se trupat ukrainase po i godasin infrastrukturën dhe shtëpitë e qytetit me raketa të sistemit amerikan, Himars. Ai foli në televizionin shtetëror rus, raporton BBC-ja.
“Ushtria ruse, mbi të gjitha, do ta garantojë evakuimin e sigurt të popullsisë” së Khersonit, tha ai. Pranimi i rrallë i problemeve të mëdha nga gjenerali u pasua edhe nga një zyrtar i lartë lokal.
Zyrtari i vendosur nga rusët, Kirill Stremousov, i paralajmëroi banorët e Khersonit se trupat ukrainase do të nisin një sulm në qytet “në të ardhmen shumë të afërt”, përcjell Nacionale.
“Ju lus që t’i merrni seriozisht fjalët e mia – po flas për evakuim sa më shpejt që është e mundshme”, shkroi ai në rrjetin “Telegram”, duke shtuar se bregu perëndimor i Lumit Dnieper është më së shumti në rrezik.
Kjo u konfirmua nga guvernatori i rajonit, Vladimir Saldo, i cili gjithashtu është emëruar nga Rusia.
Khersoni ishte qyteti i parë që kishte rënë në duart e rusëve pas fillimit të luftës, që në muajin shkurt.
Në javët e fundit, forcat ukrainase vazhdimisht kanë marrë nën kontroll territore afër këtij qytetit, duke arritur deri në 30 kilometra në jug përgjatë Lumit Dnieper, andaj forcat ruse janë në rrezik nga rrethimi.
“Si tërësi, situata në zonën e operacionit special ushtarak mund të përshkruhet si e tendosur”, tha Gjenerali Surovikin.
Khersoni është i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që është kapur nga rusët gjatë luftës. Kremlini tashmë pretendon se Khersoni dhe tri rajone të tjera ukrainase janë pjesë e Rusisë. Ky pretendim është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.
Gjenerali Surovikin, i cili është i njohur për përdorim të metodave të ashpra, tha se raketat e Ukrainës i kanë dëmtuar urën “Antonivsky” dhe digën e një hidrocentrali në Kakhovka, duke e bllokuar trafikun në këto arterie kyçe.
Sipas tij, kjo ka shkaktuar probleme për furnizim me mallra e shërbime elementare, më saktësisht për shpërndarje ushqimit, ujit dhe rrymës.
Ai gjithashtu tha se ukrainasit po kryejnë vazhdimisht sulme në një front të gjerë – në zonat Kupiansk e Liman në lindje dhe në frontin Mykolaiv-Krivyi Rih në lindje.
Niveli i evakuimit të planifikuar të banorëve ende nuk është i qartë. Sidoqoftë, nëse forcat ruse i detyrojnë banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, ky veprim mund të përbëjë krim lufte, sipas definicionit të Kombeve të Bashkuara./Nacionale

