Përleshje afër kufirit me Afganistanin, vriten 11 ushtarë pakistanezë e 19 militantë
Forcat pakistaneze të sigurisë bastisën një vend të fshehtë të talibanëve pakistanezë afër kufirit me Afganistanin të mërkurën para agimit, duke nxitur një betejë të ashpër me armë që la të vdekur 11 ushtarë e 19 militantë, tha ushtria.
Operacioni ndodhi në distriktin Orakzai të provincës veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, sipas një deklarate të ushtrisë pakistaneze, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ushtria i përshkroi militantët e vrarë si “Khwarij”, term që Qeveria e përdor për militantët për të cilët pretendon se janë të mbështetur nga India, përfshirë pjesëtarët e grupit Tehrik-e-Taliban Pakistan dhe Ushtrisë Çlirimtare Baloçe.
Autoritetet pakistaneze për një kohë të gjatë e akuzojnë Indinë se i mbështet separatistët në Baloçistan dhe luftëtarët talibanë pakistanezë, akuza që Nju-Delhi i mohon.
Në një deklaratë të shkurtër, talibanët pakistanezë e morën përgjegjësinë për sulmin ndaj ushtarëve në Orakzai.
Pakistani është ballafaquar me shtim të dhunës së militantëve viteve të fundit dhe për shumicën e rasteve, përgjegjësinë e kanë marrë talibanët pakistanezë.
Përmes një deklarate, kryeministri Shehbaz Sharif i vlerësoi lart forcat e sigurisë për vrasjen e militantëve dhe i nderoi ushtarët që e humbën jetën./Nacionale