“Përfshirë ju”: Ministri izraelit jep shenjë për pushtim me këmbësori në Liban
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, duket se ka dhënë shenjë se vendi i tij synon që të zhvillojë një pushtim me trupa tokësore në Liban, pasi iu tha disa ushtarëve në veri të Izraelit: “Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona – përfshirë ju.”
Gallanti tha se kthimi i izraelitëve në shtëpitë e tyre në veri është “mision i Forcave Mbrojtëse të Izraelit”. Rreth 60 mijë njerëz janë detyruar që të evakuohen nga ajo pjesë për shkak të sulmeve të vazhdueshme me raketa nga territori i Libanit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Kjo është ajo që do ta bëjmë dhe ne do të dislokojmë çfarëdo që është e nevojshme – ju, forca të tjera, nga ajir, nga deti dhe nga toka” – shtoi ministri izraelit.
Ai e përshkroi vrasjen e kryetarit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si “hap shumë të rëndësishëm”, por paralajmëroi se “kjo nuk është e tëra”.
Më herët, nënsekretari i Hezbollahut, Naim Qassem, lëshoi një deklaratë sfiduese, duke thënë se grupi së shpejti do të emërojë një udhëheqës të ri dhe pretendoi se Hezbollahu është ende duke përdorur vetëm një pjesë të kapaciteteve për ta sulmuar Izraelin.
Qassemi e vlerësoi lart armatimin e Hezbollahut dhe tha se grupi do t’i vazhdonte luftimet.
Ndërkohë, Irani ka thënë se Izraeli “nuk do të kalojë pa u ndëshkuar për krimet që i ka kryer”. Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, citohet të ketë thënë: “Irani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë veprim agresiv të regjimit zionist, që i shënjestron interesat e Iranit. Ky regjim nuk do të kalojë pa u ndëshkuar për krimet që i ka kryer dhe Irani do të ndërmarrë masa të duhura si kundërpërgjigje.”
Përderisa sulmet ajrore izraelite në Liban po vazhdojnë, në të njëjtën kohë po vazhdon edhe sulmi izraelit në Gaza, ku të hënën u raportua për 12 persona të vrarë, përfshirë një gazetar.
יחד עם לוחמי חטיבה 188 בגבול הצפון - הכוחות מוכנים וערוכים להכות את חיזבאללה בעוצמה.
— יואב גלנט - Yoav Gallant (@yoavgallant) September 30, 2024
המטרה שלנו ברורה - החזרת תושבי הצפון לבתיהם, נשתמש בכל האמצעים העומדים לרשותנו עבור השגת מטרה זו. pic.twitter.com/JzAzSsiZf3