Përçarje në Izrael: Kolegu e kërkon shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes pas sfidimit të Netanyahut për Gazën - NACIONALE

Përçarje në Izrael: Kolegu e kërkon shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes pas sfidimit të Netanyahut për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një përçarje e thellë publike është shpërfaqur brenda kabinetit izraelit në kohën e luftës në Gaza. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka dalë kundër vendosjes së pushtetit civil dhe ushtarak izraelit në Gaza pas përfundimit të luftës, duke thënë se nuk do të lejojë një gjë të tillë. Ky qëndrim bie ndesh me pikëvështrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Në një adresim në televizion të mërkurën, ministri Gallant tha se kryeministri Netanyahu duhet të marrë “vendime të vështira” për ta çuar përpara qeverisjen e Gazës pa Hamasin, cilado qoftë kostoja personale për këtë hap, sepse po dëmtohen përparimet në luftë dhe në pyetje është siguria afatgjate e Izraelit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Gallant paralajmëroi se nuk do ta japë pëlqimin e tij për qeverisje civile ose ushtarake izraelite të Gazës dhe se qeverisja nga entitete palestineze që s’lidhen me Hamasin, të shoqëruara nga aktorë ndërkombëtarë, është në interesin e Izraelit. Sipas tij, Netanyahu duhet ta përjashtojë publikisht nocionin e pushtetit të vazhdueshëm ushtarak ose civil në Rripin e Gazës.

Komentet publike të ministrit të Mbrojtjes, që u panë si sfida më e drejtpërdrejtë politike ndaj Netanyahut nga dikush që është pjesë e kabinetit që nga fillimi i luftës, nxitën reagime të ashpra nga anëtarë të tjerë të pushtetit, të cilët i bënë thirrje kryeministrit për ta shkarkuar Gallantin.

“Nga pikëvështrimi i Gallantit, nuk ka dallim nëse Gaza kontrollohet nga ushtarët izraelitë dhe nëse vrasësit e Hamasit e kontrollojnë atë. Ky është thelbi i konceptit të një ministri të Mbrojtjes që dështoi më 7 tetor dhe vazhdon që të dështojë edhe tani. Një ministër i tillë i Mbrojtjes duhet të zëvendësohet që të arrihen qëllimet e luftës” – shkroi në rrjetin X ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

Vetëm disa orë para komenteve të Gallantit, Netanyahu kishte thënë se çfarëdo diskutimi për “ditën pas [luftës]” në Gaza është i pakuptimtë derisa të mposhtet Hamasi.

Netanyahu kundërpërgjigj shpejt, duke thënë se ai “nuk është i përgatitur për të ndryshuar nga Hamastani në Fatahstan”, duke iu referuar Autoritetit Palestinez, që mbizotërohet nga Fatahu.

Gallanti tha se dështimi për të gjetur një zëvendësim për Hamasin në Rripin e Gazës do t’i minojë arritjet ushtarake të Izraelit, pasi ky grup do të arrijë që të rigrupohet dhe ta vendosë përsëri kontrollin.

“Për aq gjatë sa Hamasi e mban kontrollin mbi jetën civile në Gaza, ai mund të rindërtohet dhe të fuqizohet, kështu duke i kërkuar rikthimin e ushtrisë izraelite dhe luftimin në zonat ku tashmë është operuar” – tha ministri izraelit.

Lajme të ngjashme