Pashiniani thotë se Armenia e Azerbajxhani janë pajtuar për parimet themelore të traktatit të paqes - NACIONALE

Pashiniani thotë se Armenia e Azerbajxhani janë pajtuar për parimet themelore të traktatit të paqes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Armenia dhe Azerbajxhani kanë arritur që të pajtohen për parimet themelore për një traktat të paqes, por “ende janë duke folur gjuhë të ndryshme diplomatike”, citohet të ketë thënë kryeministri armen, Nikol Pashinian.

Këto dy shtete kanë pasur mosmarrëveshje me dekada, kryesisht për shkak të rajonit të Nagorno-Karabakut, të cilin Azerbajxhani e rimori nën kontroll në shtator, duke nxitur eksod masiv të armenëve etnikë, raporton agjencia “Reuters”.

Sidoqoftë, Pashiniani tha se është shënuar ca progres në bisedimet për një traktat të paqes, edhe pse u citua të ketë thënë se dy vendet prapëseprapë patën shpesh vështirësi për t’u pajtuar rreth disa gjërave.

“Kemi lajme të mira e të këqija për procesin e paqes Armeni – Azerbajxhan”- citohet të ketë thënë Pashiniani, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.

“Është mirë që është arritur pajtueshmëri për parimet themelore të paqes me Azerbajxhanin. Kjo ndodhi përmes ndërmjetësimit të kreut të Këshillit Evropian, Charles Michel, si rezultat i takimeve të mia me presidentin e Azerbajxhanit në Bruksel”- shtoi ai.

“Lajmi i keq më i rëndësishëm është që ne ende flasim gjuhë të ndryshme diplomatike dhe shumë shpesh nuk e kuptojmë njëri-tjetrin”- tha më tej kryeministri armen.

Agjencia ruse raportoi, gjithashtu, se Pashiniani ka thënë që Armenia ka propozuar që të gjithë të burgosurit armenë të shkëmbehen me të gjithë të burgosurit azerë.

Lajme të ngjashme