Pas ushtrimeve të Kinës, ShBA-ja dhe Filipinet i nisin ushtrimet më të mëdha ushtarake
Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet do t’i zhvillojnë ushtrimet më të mëdha ushtarake ndonjëherë mes dy vendeve, një ditë pasi Kina i përfundoi ushtrimet e mëdha përreth Tajvanit.
Për tri ditë, ushtria kineze bëri prova për bllokimin e Tajvanit si kundërpërgjigje për takimin e presidentes Tsai Ing-wen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, javën e kaluar, raporton televizioni BBC.
Ushtrimet amerikane në Filipine ishin planifikuar para se të ndodhte ky takim. Zyrtarët amerikanë dhe filipinas thonë se këto ushtrime e dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin e Indo-Paqësorit, që është i hapur dhe i lirë.
Uashingtoni njoftoi muajin e kaluar se ushtrimi i përbashkët vjetor, “Balikatan”, do të jetë më i madhi ndonjëherë dhe do të përfshijë mbi 17 mijë ushtarë, përfshirë 12 mijë trupa amerikane.
Në ushtrimin dyjavor, dy ushtritë do ta ushtrojnë edhe goditjen e një luftanijeje të imagjinuar në Detin e Kinës Jugore – veprim që mund ta nxisë zemërimin e Kinës.
Në shkurt, Shtetet e Bashkuara siguruan një marrëveshje të re të mbrojtjes me Filipinet. Katër baza të reja detare do të ndërtohen në ishujt filipinas afër ujërave të kontestuara.
Tri prej këtyre bazave do të jenë në veri të Ishullit Luzon, territori më i afërt tokësor me Tajvanin, përpos Kinës.
Rrugët detare përreth Filipineve dhe në Detin e Kinës Jugore përbëjnë disa prej rrugëve më të çmueshme tregtare në botë dhe kanë qenë subjekt i pretendimeve të kontestuara territoriale të Kinës viteve të fundit.
Të hënën, përderisa Kina ishte duke i zhvilluar ushtrimet e saj dhe dislokoi aeroplanë luftarakë e një aeroplanmbajtëse përreth Tajvanit, ShBA-ja dërgoi një luftanije nëpër Detin e Kinës Jugore, duke e quajtur këtë veprim mision për lirinë e lundrimit.

