Tensione në Ngushticën e Tajvanit, 42 aeroplanë luftarakë kinezë e kalojnë vijën e mesit - NACIONALE

Tensione në Ngushticën e Tajvanit, 42 aeroplanë luftarakë kinezë e kalojnë vijën e mesit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dyzet e dy aeroplanë luftarakë kinezë e kaluan për një kohë të shkurtër vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit të shtunën, përderisa Kina I filloi ushtrimet ushtarake përreth Tajvanit si kundërpërgjigje për takimin e presidentes tajvaneze, Tsai Ing-wen, me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy.

Ushtrimet treditore, të njoftuara pas kthimit të presidentes Tsai nga Shtetet e Bashkuara, ishin pritur gjerësisht, pasi Kina e dënoi takimin e saj me McCarthy-n të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.

Ushtria kineze tha se ka filluar patrulla për gatishmëri luftarake dhe ushtrimet “Shpata e Përbashkët” përreth Tajvanit, pasi më parë kishte njoftuar se do t’i zhvillojë ato në Ngushticën e Tajvanit, drejt veriut, jugut dhe lindjes së ishullit “siç janë planifikuar”.

“Ky është një paralajmërim serioz për forcat separatiste për pavarësinë e Tajvanit dhe bashkëpunimin e fshehtë e provokimin nga forcat e jashtme dhe është një veprim i nevojshëm për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar e integritetin territorial”- thuhet në një deklaratë të Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të shtunën në mëngjes se ka vërejtur 42 aeroplanë luftarakë kinezë – J-10, J-11 e J-16 – duke e kaluar vijën e mesit, e cila shërben zakonisht si vijë jozyrtare ndarëse mes dy palëve. Përpos aeroplanëve, kjo ministri tha se e ka vërejtur edhe kalimin e tetë anijeve kineze.

Ministria e Mbrojtjes tha se Kina po e shfrytëzon vizitën e presidentes Tsai në Shtetet e Bashkuara si justifikim për të kryer ushtrime ushtarake, të cilat, sipas kësaj ministrie, i kanë dëmtuar seriozisht paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

“Ushtria do të përgjigjet me qëndrim të qetë, racional e serioz dhe do të qëndrojë rojë e do të vëzhgojë në përputhje me parimet “as eskalim, as konflikt” për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe sigurinë kombëtare”- thuhet në deklaratë.

Ushtrimet ushtarake të Kinës po mbahen vetëm disa orë pas vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Pekin.

Lajme të ngjashme