Pas tërmeteve, Turqia përballet me përmbytje - raportohet për 14 viktima
Ministri i Brendshëm i Turqisë, ka bërë të ditur se pas përmbytjeve në dy provinca juglindore të vendit, të goditura më parë rëndë edhe nga tërmetet, numri i të vdekurve ka shkuar në 14.
Suleyman Soylu ka njoftuar se 12 persona kanë humbur jetën në Sanliurfa dhe dy të tjerë në Adiyaman, ndërsa sipas mediave turke, janë duke u zhvilluar përpjekje për kërkim-shpëtim edhe për pesë persona të zhdukur.
Bëhet e ditur se reshjet e mëdha në këto zona kanë shkaktuar vërshime të një lumi që kanë sjellë përmbytje të mëdha, ndërkohë, ekipet e fatkeqësive, policia, xhandarmëria dhe stafi i bashkisë kanë vazhduar të evakuojnë njerëz nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Kujtojmë se Adiyaman dhe Sanliurfa janë goditur muajin e kaluar nga tërmete që shkatërruan Turqinë jugore duke lënë të vdekur më shumë se 48 mijë persona.
