Pas takimit me Trumpin, Musku thotë se s’do t’i dhurojë para asnjërin kandidat për president - NACIONALE

Pas takimit me Trumpin, Musku thotë se s’do t’i dhurojë para asnjërin kandidat për president

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Miliarderi amerikan, Elon Musk, shef ekzekutiv i prodhuesit të veturave elektrike “Tesla”, tha të mërkurën se ai nuk do të dhurojë para për asnjërin kandidat për president të ShBA-së – Donald Trump ose Joe Biden – në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, një ditë pas takimit me Trumpin në Florida.

Trumpi u takua me Muskun, njëri nga njerëzit më të pasur në botë, me një grup njerëzish në Florida gjatë fundjavës, konfirmoi një burim për agjencinë “Reuters”, përderisa ish-presidenti po kërkon financim të fuqishëm për fushatën e vet.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin e tij social, X, Musku tha: “Vetëm për të qenë super i qartë, unë nuk do t’i dhuroj para asnjërit kandidat për president të ShBA-së.”

Më 2022, Musku kishte kërkuar nga amerikanët që të zgjidhnin Kongres me përbërje republikanësh gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit me qëllim që të bëhej një kundërbaraspeshim ndaj demokratëve të Bidenit.

Ai ka thënë në rrjetin X se Bideni është duke i inkurajuar emigrantët që të shkojnë në ShBA në mënyrë që ata të votojnë për demokratët, edhe pse njerëzit pa shtetësi amerikane nuk mund të votojnë në zgjedhje federale.

Më herët të mërkurën, zonja Nikki Haley i dha fund fushatës së saj për ta sfiduar Trumpin, duke ia hapur rrugën për të qenë kandidat i Partisë Republikane kundër Bidenit në zgjedhjet e nëntorit.

Lajme të ngjashme