Pas raportimeve për shkarkim, komandanti i ushtrisë ukrainase jep disa vlerësime për luftën
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi, thotë se Ukraina duhet t’i përshtatet pakësimit të ndihmave ushtarake nga aleatët e saj kyçë dhe të përqendrohet gjithnjë më fuqishëm në teknologji, nëse dëshiron që ta fitojë luftën kundër Rusisë.
Në një ese ekskluzive për televizionin CNN, të dorëzuar në kohën e një vorbulle thashethemesh për të ardhmen e tij, Zaluzhnyi gjithashtu shkroi për sfidën e mobilizimit masiv, burim tensioni mes tij e presidentit Volodymyr Zelensky, raporton televizioni i njohur amerikan.
Në artikullin e gjeneralit nuk përmenden marrëdhëniet e tij me presidentin e as raportimet se Zelensky pritet ta njoftojë shkarkimin e tij pas katër viteve në detyrë, vendim për të cilin një burim tha se mund të vijë brenda ditëve.
Në vend të kësaj, komandanti ushtarak synon që ta përforcojë argumentin e paraqitur në një ese të publikuar para tre muajve, por edhe komenton për herë të parë një varg zhvillimesh negative në vend e jashtë tij.
Në esenë e parë, të publikuar në gazetën “The Economist”, Zaluzhnyi e kishte theksuar rëndësinë e dronëve dhe mjeteve luftarake elektronike si prioritet për Ukrainën.
Kur gjenerali kishte thënë në një intervistë se situata në luftë ishte “ngërç", zyra e Zelenskyt kishte ndërhyrë, duke thënë se deklarime të tilla vetëm e ndihmojnë Rusinë.
Në artikullin e tij për televizionin CNN, duket qartë se Zaluzhnyi as tash s'e sheh ndryshe gjendjen e luftës.
Tani, megjithatë, ai qartazi beson se udhëheqësit ushtarakë të Ukrainës duhet t’i marrin parasysh një varg zhgënjimesh si dhe shpërqendrimin nga fusha e betejës.
Tërthorazi, ai i drejtohet dështimit të Shteteve të Bashkuara për marrëveshje për një pako të re të ndihmave ushtarake për Ukrainën, si dhe faktit që zhvillimet në Lindje të Mesme nga tetori e kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Për më tepër, komandanti vlerëson se “dobësia e sanksioneve ndërkombëtare nënkupton që Rusia... ende është e aftë për ta dislokuar kompleksin e saj industrialo-ushtarak në ndjekje të luftës së gërryerjes kundër nesh”.
Edhe problemet e brendshme janë qartazi shqetësim, si në rastin kur Zaluzhnyi e përmend atë që po duket si ngurrim i udhëheqësve politikë në Kiev për t’u rrethuar plotësisht prapa thirrjes së tij për mobilizim më të madh me deri gjysmë milioni rekrutë, si njohje e superioritetit dërrmues të Rusisë në shifrat e trupave.
“Ne duhet ta pranojmë përparësinë e konsiderueshme që gëzohet [nga Rusia] në mobilizimin e burimeve njerëzore dhe si kjo krahasohet me paaftësinë e institucioneve shtetërore në Ukrainë për t’i përmirësuar nivelet e fuqisë njerëzore të forcave tona të armatosura pa përdorimin e masave jopopuliste” – shkruan më tej oficeri i lartë ushtarak.
Sipas tij, vetëm përfundimi i “të menduarit të vjetruar e me stereotipe” mund t’i ndihmojë ushtritë moderne që të arrijnë fitore në luftë.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli