Pas premtimit të Trumpit për ndërhyrje, RSF-ja në Sudan thotë se do të hyjë në armëpushim - NACIONALE

Pas premtimit të Trumpit për ndërhyrje, RSF-ja në Sudan thotë se do të hyjë në armëpushim

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kreu i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në Sudan tha të hënën vonë se paramilitarët e tij do të hyjnë menjëherë në një armëpushim humanitar tremujor, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha javën e kaluar se do të ndërhynte për ta mbështetur përfundimin e një lufte që e ka zhytur shtetin afrikan në uri.

Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Arabia Saudite, të njohura si Quad, më herët këtë muaj propozuan një plan për armëpushim tremujor të pasuar nga bisedimet e paqes. RSF-ja ishte përgjigjur duke thënë se e pranonte planin, por pak kohë më vonë sulmoi me dronë territor që është nën kontrollin e ushtrisë sudaneze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Deklarata e së hënës duket se njoftonte armëpushim të njëanshëm. Ajo erdhi një ditë pasi komandanti i ushtrisë sudaneze i refuzoi propozimet e grupit Quad dhe e kritikoi përfshirjen e Emirateve të Bashkuara si ndërmjetëse. Ky shtet është akuzuar gjerësisht se e ka armatosur RSF-në.

Emiratet e Bashkuara i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se synojnë që t’i japin fund luftës.

“Si përgjigje ndaj përpjekjeve ndërkombëtare, para së gjithash të atyre të Shkëlqesisë së Tij, presidentit të ShBA-së, Donald Trump… unë njoftoj një armëpushim humanitar përfshirë ndërprerjen e armiqësive për tre muaj” – tha në një fjalim të hënën Gjeneral Mohamed Hamdan Dagalo i RSF-së.

“Ne shpresojmë se vendet e Quad-it do ta luajnë rolin e tyre në shtyrjen e palës tjetër që të angazhohet në këtë hap” – shtoi ai.

Komentet e Dagalos vijnë në kohën kur RSF-ja është akuzuar për sulme brutale ndaj civilëve pas marrjes nën kontroll të qytetit al-Fashir në fund të tetorit.

Komandanti i ushtrisë sudaneze, Gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, në fjalimin e tij të mbajtur të dielën tha se qëllimi i propozimit amerikan është që të dobësohet ushtria, ndërsa RSF-së t’i lejohet mbajtja e kontrollit mbi territoret që i ka kapur.

“Askush në Sudan nuk do ta pranojë praninë e këtyre rebelëve ose që ata të jenë pjesë e ndonjë zgjidhjeje në të ardhmen” – tha Burhani./Nacionale

Lajme të ngjashme