Pas nisjes së afatit 50-ditor të Trumpit për paqe, Rusia kryen sulme të reja në Ukrainë - NACIONALE

Pas nisjes së afatit 50-ditor të Trumpit për paqe, Rusia kryen sulme të reja në Ukrainë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Katër qytete ukrainase u goditën nga armët ruse në natën mes së martës dhe të mërkurës, duke lënduar të paktën 15 njerëz gjatë sulmit që në shënjestër e kishte kryesisht infrastrukturën energjetike, thanë zyrtarët.

Bombardimet e reja në fushatën ajrore që po përshkallëzohet nga Rusia kundër zonave civile ndodhën para afatit të 2 shtatorit të vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, që Kremlini të arrijë një marrëveshje të paqes, nën kërcënimin e sanksioneve të ashpra të mundshme nga Uashingtoni, nëse nuk bën një gjë të tillë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ende nuk është caktuar publikisht ndonjë datë për rundin e tretë të mundshëm të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes delegacioneve ruse e ukrainase. Në dy rundet e mëparshme nuk u shënua progres, me përjashtim të shkëmbimit të të burgosurve.

Rusia nisi 400 dronë “Shahed” e dronë mashtrues, si dhe një raketë balistike gjatë natës, tha forca ajrore ukrainase. Në shënjestër të sulmeve ishin qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, vendlindja e presidentit Volodymyr Zelensky, Kryvyi Rih, Vinnytsia në perëndim dhe Odesa në jug.

“Rusia nuk e ndryshon strategjinë e vet. Për t’iu kundërvënë në mënyrë efikase këtij terrori, na nevojitet fuqizim sistematik i mbrojtjes: më shumë mbrojtje ajrore, më shumë armatim pengues dhe më shumë vendosmëri që Rusia ta ndiejë kundërpërgjigjen tonë” – tha presidenti Zelensky.

Të hënën, Trumpi u zotua për t’i dhuruar më shumë armë Ukrainës, përfshirë sistemet jetike të mbrojtjes ajrore “Patriot”, dhe kërcënoi me sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ky ishte qëndrimi më i ashpër i presidentit amerikan ndaj homologut rus, Vladimir Putin, që nga rikthimi në pushtet në Shtëpinë e Bardhë para gati gjashtë muajve.

Sidoqoftë, disa ligjvënës amerikanë dhe zyrtarë qeveritarë evropianë shprehën shqetësim se afati 50-ditor ia ofron Putinit mundësinë që të marrë nën kontroll më shumë territor ukrainas para se të arrihet ndonjë marrëveshje për përfundimin e luftimeve.

Ultimatumet e tjera të ShBA-së ndaj Putinit muajve të fundit kanë dështuar që ta bindin presidentin rus që ta ndalë pushtimin e Ukrainës fqinje. Dhjetëra mijëra ushtarë janë vrarë në luftë, shumë prej tyre përgjatë vijës së frontit më e gjatë se 1 mijë kilometra, ndërsa sulmet ruse ndaj qyteteve kanë lënë të vrarë më shumë se 12 mijë civilë ukrainas, sipas Kombeve të Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme