Pas luftimeve në kufi, armëpushimi Kirgistan – Taxhikistan kryesisht po respektohet
Kirgistani dhe Taxhikistani të shtunën nuk raportuan për incidente të konsiderueshme gjatë natës, duke dhënë shenjë se armëpushimi, për të cilin u morën vesh pas luftimeve të ashpra të premten, po mbetet në fuqi pavarësisht nga akuzat e të dyja palëve ndaj njëra-tjetrës për bombardime sporadike.
Kirgistani, që të premten raportoi për 24 qytetarë të vet të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur gjatë luftimeve, i akuzoi forcat taxhike për bombardim të pozicioneve kufitare kirgize në disa raste të shtunën.
Taxhikistani nuk ka publikuar ndonjë shifër zyrtare të të vrarëve, por burimet e sigurisë thanë se të paktën shtatë persona u vranë të premten. Rojat kufitare taxhike thanë të shtunën se njëra nga pozicionet e tyre në një zonë tjetër është bombarduar.
Sidoqoftë, administrata e provincës veriore të Taxhikistanit, Sughd – ku shpërthyen përleshjet – tha të shtunën se tensionet në zonën kufitare janë ulur, raporton agjencia “Reuters”.
“Si rezultat i takimeve mes delegacioneve kirgize e taxhike, situate në kufi është duke u stabilizuar, njerëzit po i kthehen jetës normale”, thuhet në një deklaratë të administratës rajonale.
Të dyja këto shtete kanë baza ushtarake ruse dhe janë anëtare të disa blloqeve ushtarake e ekonomike të udhëhequra nga Rusia.
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rakhmon, dhe homologu i tij kirgiz, Sadyr Japarov, ishin duke marrë pjesë në një takim të një organizate rajonale të udhëhequr nga Rusia e Kina, kur shpërtheu dhuna në kufi./Nacionale