Pas fitores në Luhansk, Putini vazhdon me Slovianskun – raportohet për bombardime masive - NACIONALE

Pas fitores në Luhansk, Putini vazhdon me Slovianskun – raportohet për bombardime masive

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli fitoren në pushtimin e një rajoni të Ukrainës lindore, thelbësor për qëllimet e tij të luftës, është raportuar se kanë nisur bombardime masive e të vazhdueshme në qytetin Sloviansk.

Kryetari i qytetit, Vadim Lyakh ka njoftuar se vendi është nën bombardime të vazhdueshme duke kërkuar nga banorët që të evakuohen e strehohen në strehimore.

Lyakh tha se vetëm ditën e martë, janë vrarë dy persona ndërsa janë plagosur shtatë të tjerë. E nga ky sulm u kuptua se forcat ruse janë pozicionuar për të avancuar më tej në rajonin Donbas të Ukrainës, një zonë industriale kryesisht rusisht-folëse ku janë përqendruar ushtarët më me përvojë të vendit.

“Sloviansk është goditur me raketa dhe artileri gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, por pas pushtimit të qytetit Luhansk, Moska ka rritur bombardimet në këtë qytet,” ka thënë Lyakh.

Kujtojmë se, ushtria ukrainase tërhoqi trupat e saj nga qyteti i Lysychansk për t'i mbrojtur nga një rrethim i mundshëm, ndërsa ministri rus i Mbrojtjes dhe Putini kan thënë se kapja e qytetit i ka dhënë Moskës kontrollin e të gjithë Luhanskut, një nga dy provincat që përbëjnë Donbasin.

Ndërkohë, nga zyra e presidentit të Ukrainës është thënë se ushtria ukrainase është duke vazhduar mbrojtjen e një pjese të vogël të Luhanskut, duke u përpjekur të blejë kohë për të vendosur pozicione të fortifikuara në zonat e afërta.

Pas ngjarjeve të fundjavës, Putini tha të hënën se trupat ruse që kanë luftuar në Luhansk duhet “të pushojnë pak dhe të forcojnë aftësitë e tyre luftarake”, e pyetja që vjen pas është: A është duke u përgatitur Rusia për një pushtim të Donbasit, duke dashur të marrë edhe rajonin Donetsk?

Lajme të ngjashme