Pas drithit, Hungaria i ndalon edhe mjaltin e shumë produkte të tjera nga Ukraina - NACIONALE

Pas drithit, Hungaria i ndalon edhe mjaltin e shumë produkte të tjera nga Ukraina

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Hungaria do t’i fusë mjaltin, disa produkte të caktuara të mishit e shumë prodhime të tjera në listën e ndalimit të përkohshëm të importimit të mallrave nga Ukraina në përpjekje për ta lehtësuar presionin ndaj bujqve vendës, tha të enjten një ministër hungarez.

Përpos mjaltit dhe mishit, qeveria hungareze e ka ndaluar importimin e 25 prodhimeve ukrainase, përfshirë drithin, farat e vajit, miellin dhe vajin ushqimor deri më 30 qershor, tha në një konferencë për gazetarë ministri Gegely Gulyas.

Ai shtoi se autoritetet do të kërkojnë që dërgesat me këto prodhime që vijnë nga vendet e treta të vëzhgohen, kur të futen në Hungari, për t’u siguruar që ato nuk janë duke ardhur nga Ukraina, raporton agjencia “Associated Press”.

Ndalimi i importimit të produkteve, i njoftuar të shtunën, erdhi si kundërpërgjigje ndaj asaj që autoritetet e quajnë tepricë të prodhimeve bujqësore ukrainase në tregun hungarez, gjë që u ka pamundësuar bujqve hungarezë që të mbeten konkurrentë.

Polonia, Sllovakia dhe Bullgaria ndërmorën masa të ngjashme ditëve të fundit, duke argumentuar se sektorët e tyre të bujqësisë janë dëmtuar, pasi Bashkimi Evropian ia hoqi taksat drithit ukrainas për ta lehtësuar eksportimin, kur Rusia i bllokoi rrugët tradicionale.

“Kemi parë javëve dhe muajve të fundit se kjo e ka rrënuar tregun bujqësor hungarez. Na vjen mirë që e ndihmojmë Ukrainën, por ne duhet të shohim qartazi se solidariteti nuk mund t’i rrënojë bujqit hungarezë, ekonominë hungareze dhe posaçërisht bujqësinë hungareze”- tha ministri Gulyas.

Të mërkurën, Bashkimi Evropian dha shenjë se është i gatshëm që t’i adresojë shqetësimet e bujqve në shtetet fqinje të Ukrainës. Në mesin e propozimeve të Komisionit Evropian përfshihet një pako fillestare e përkrahjes prej 56,3 milionë eurosh për bujqit më të prekur, me mundësinë e dhurimit të pakos së dytë prej 100 milionë eurosh përkrahje për ta.

Lajme të ngjashme