Pas dorëheqjes së Ardern, kryeministër i Zelandës së Re do të jetë ministri i Arsimit, Chris Hipkins
Pas dorëheqjes së papritur të Jacinda Ardern si kryeministre e Zelandës së Re, vendin e saj do ta zë ministri i Arsimit, Chris Hipkins.
Partia Laburiste në pushtet ka njoftuar se Hipkins ishte i vetmi kandidat i nominuar për udhëheqjen e Partisë.
"Grupi i Partisë Laburiste do të mblidhet në orën 13:00 të dielën për të miratuar emërimin dhe për të konfirmuar Chris Hipkins si lider," – ka njoftuar Partia Laburiste.
Kujtojmë se, zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Zelandën e Re do të mbahen më 14 tetor, ndërsa Jacinda Ardern, njoftoi të enjten dorëheqjen e saj duke thënë se nuk beson se ka energji për të kërkuar rizgjedhjen në këto zgjedhje.
Kryeministri në ardhje, Hipkins më parë ka mbikëqyrur menaxhimin e pandemisë së Zelandës së Re, si ministër i përgjigjes ndaj Covid-19 në kabinetin e Ardern.
Sipas profilit të tij zyrtar, Hipkins fillimisht i është bashkuar qeverisë si këshilltar i lartë i dy ministrave të Arsimit dhe më vonë në zyrën e kryeministres së atëhershme Helen Clark.
Ai ka hyrë në parlament në vitin 2008 dhe është bërë zëdhënës i Arsimit në fillim të vitit 2013.
