Jep dorëheqje kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern - NACIONALE

Jep dorëheqje kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se jep dorëheqje nga posti i shefes së qeverisë. Ajo njoftoi se në shtetin e saj do të mbahen zgjedhje në tetorin e këtij viti.

Në një takim vjetor të partisë së saj, të mbajtur të enjten, zonja Ardern tha se ajo “nuk ka më karburant të mjaftueshëm në rezervuar” për ta bërë punën e rëndësishme. “Është koha”- tha ajo.

“Po largohem, sepse me një rol të tillë me privilegj, vjen përgjegjësia – përgjegjësia për të ditur se kur je personi i duhur për të udhëhequr, por edhe kur nuk je. Unë e di se çfarë kërkon kjo pozitë dhe e di se nuk kam më karburant në rezervuar për ta bërë këtë në mënyrë të drejtë. Është aq e thjeshtë”- tha figura e njohur edhe jashtë vendit të saj.

Mandati i saj si kryeministre do të përfundojë jo më vonë se më 7 shkurt, por ajo do të jetë deputete deri në tetor, kur të mbahen zgjedhjet.

“Unë jam njeri, politikanët janë njerëz. Ne e japim tërë atë që mundemi për aq gjatë sa mundemi. Dhe pastaj është koha. Dhe për mua, është koha”- shtoi zonja Ardern. Ajo tha se ka reflektuar gjatë pushimit të verës për atë nëse ka energji për ta vazhduar detyrën dhe ka arritur në përfundimin se nuk e ka atë energji.

Ajo ishte bërë gruaja më e re në botë që e kishte marrë rolin e kryeministres, kur ishte zgjedhur në vitin 2017 në moshën 37-vjeçare. Ardern e ka udhëhequr vendin gjatë pandemisë dhe gjatë fatkeqësive të mëdha, përfshirë sulmin terrorist në dy xhami në Christchurch.

Kur u pyet se si do të donte që banorët e vendit të saj ta mbanin në mend, Ardern tha: “Si dikë që gjithmonë është munduar të jetë e sjellshme.”

“Shpresoj që t’i lë banorët e Zelandës së Re me besimin se mund të jeni të sjellshëm, por të fuqishëm, me dhembshuri, por të vendosur, optimist, por të përqendruar dhe që mund të jeni lloji juaj i udhëheqësit – i tillë që di se kur është koha për t’u larguar”- tha ajo.

Ardern tha se nuk ka plane për të ardhmen përpos kalimit të një kohe më të gjatë me familjen e vet. Ajo i falënderoi partnerin Clarke Gayford dhe vajzën Neve, të cilën e ka lindur gjatë kohës sa ishte në pushtet, duke i cilësuar si “ata që kanë sakrifikuar më së shumti nga të gjithë ne”.

Njoftimi i kryeministres për dorëheqje erdhi kur Zelanda e Re ka hyrë në vitin që pritet të sjellë zgjedhje me garë të ngushtë. Sipas anketave të muajve të fundit, partia e Ardernit ka pak më pak përkrahje se opozita.

Lajme të ngjashme